Rregulla strike te Tirana. Ashtu si ka ndodhur gjithnjë, edhe ky sezon do të shoqërohet me gjoba. Askush nuk mund t’ia hedhë paq të bardheblutë, nëse thyen rregulloren e brendshme të përpiluar nga klubi. Kryeqytetasit ëndërrojnë titullin e munguar prej 10 vitesh dhe, që t’ia dalin, duhet që gjithçka të shkojë në perfeksion. Toleranca për futbollistët do të jetë “zero”.

Gazeta “Panorama Sport” zbulon disa nga pikat që janë përfshirë në rregulloren e sezonit 2018-2019. Dhe duhet thënë që penalitetet nisin nga 2 euro dhe shkojnë deri në 1 mijë euro. Në fund, paratë e grumbulluara do të shfrytëzohen për kauza të caktuara. Që do të thotë, do të vihen në shërbim të vetë ekipit, por do të shkojnë edhe në bamirësi. Vendimi tashmë është marrë, ndaj e vetmja gjë që pritet është që lojtarët të jenë të kujdesshëm në regjim, orare dhe deklarata.

MASAT
Vonesat do shoqërohen me gjoba. Nëse një lojtar paraqitet një minutë më vonë në stërvitje, do paguajë 2 euro. Nëse ajo ndodh një ditë para ndeshjes ose ditën e ndeshjes, atëherë do u shtohet edhe dy euro të tjera, pra 4 euro. Jeta e natës do të jetë në survejim. Lojtarët duhet të mos e kalojnë orën 24:00. Në të kundërt, gjobat variojnë nga 500 euro deri në 1 mijë euro. Shuma rritet në varësi të përsëritjeve. Jo vetëm në stërvitje apo ditën e ndeshjes, por edhe evente të caktuara ka kod veshjeje.

Lojtarët duhet të vishen me bazën materiale të dhënë prej klubit. Nëse ndonjëri shkel rregullin, gjoba shkon nga 500 në 1000 euro. Kërkohet kujdes në postimet e bëra në rrjetet sociale apo deklaratat në media, në të kundërt gjoba nis nga 500 deri në 1000 euro. E fundit ka të bërë me “sëmundjet e parapritura”. Nuk do të tolerohen mungesat në moment të fundit. Për çdo problem shëndetësor apo fizik, lojtarët duhet të njoftojnë mjekët dhe më pas do të bëhen kontrollet e rastit për të verifikuar shqetësimin, në të kundërt vlen e njëjta gjobë si më sipër.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/e-plote-rregulla-spartane-te-ze-marias-gjoba-deri-ne-1-mije-euro-te-tirana/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb