Nga: FATMIRA NIKOLLI*

GJIROKASTER- Një vendim i Këshillit të Ministrave ka miratuar rregulloren e (re të) administrimit të zonave të mbrojtura të Gjirokastrës (si pasuri e UNESCO-s) dhe ka shpallur një pjesë të saj “Qendër historike”. Rregullorja përcakton se duke synuar mbrojtjen, konservimin, mirëmbajtjen dhe restaurimin e vlerave historiko-kulturore dhe peizazhit të qendrës historike të Gjirokastrës, administrimi i qendrës historike bëhet sipas një zonifikimi të ri (me koordinata të përcaktuara).

I shpallur qytet-muze më 1961, dhe pasuri botërore më 2005, rregullorja nënvizon se plani i përgjithshëm i qytetit të Gjirokastrës detyrimisht duhet të marrë parasysh kufijtë dhe kriteret e mbrojtjes së zonifikimit të Qendrës Historike dhe Zonës së Mbrojtur. Duke ndaluar reptësisht çdo lloj ndërtimi të ri në Qendrën Historike (“Pazar i Vjetër”, “Pllakë”, “Hazmurat”, “Teqe”, “Varosh”, “Meçite”, “Palorto”, “Dunavat i Itë”, “Dunavat i II-të”, “Manalat” dhe “Cfakë). Rregullorja thotë shprehimisht se ndërhyrjet lejohen vetëm për ruajtjen e qendrës, përmirësimin e rrugës apo në rastet e fatkeqësive natyrore, dhe këto të kontrolluara.

ZONA E MBROJTUR DHE NDËRTIMET
Rregullorja sqaron se përreth Qendrës Historike është ajo që njihet si “Zona e Mbrojtur”, që plotëson, pasuron dhe mbron vlerat e Qendrës Historike, dhe ruhet në mbarë përbërësit urbanistikë, arkitektonikë dhe vlerat e peizazhit. Sipas rregullore së re, që hyn në fuqi pas botimit të fletoren zyrtare, zona e mbrojtur ndahet në (I) – Zona të ndërtuara dhe (II) Zona të gjelbra, dhe në të parën mund të ndërtohet, duke ju përmbajtur kushteve të veçanta. (Nënzona I), “Brenda kësaj zone lejohen të bëhen ndërtime të reja ose rikonstruksione të ndërtesave ekzistuese. Këto ndërtime do të kenë kufizime në lartësi, vëllim etj, duke respektuar kushtet e mëposhtme(ku veçojmë se): 1. Ndërtimet lejohen në sheshe bosh të përcaktuara si të tilla…; 2. Lejohen shtesa volumesh deri në 10 % të sipërfaqes së ndërtimit ekzistues. 3. Numri i kateve nuk duhet të jetë më shumë se 3 (tre)-10m (lartësi maksimale e godinës); 4.Distanca minimale midis ndërtesave nuk duhet të jetë më pak se 10 metra; 5. Kompozimi planimetrik duhet të respektojë tipologjinë e ndërtimeve në atë zonë.6. Të mos krijojnë kontrast me kompozimin urban dhe arkitektonik tradicional.7. Nuk lejohen ndërtimi i objekteve me karakter industrial me përjashtim të punishteve të artizanatit. 8. Elementët arkitektonikë duhet të jenë në harmoni me elementët e arkitekturës tradicionale dhe pjerrësia e çative të jetë 26º – 31º. Në zonat e gjelbra sipas rregullores, janë të ndaluara ndërtimet, me përjashtim të strukturave të vogla me elementë drusorë të çmontueshme, që nuk duhet të kalojnë një kat – 3.5 m, elementëve të aredimit urban ose ato të shërbimit. Ndërkaq, deri në shpalljen e zonës mbrojtëse të monumenteve të kategorisë së parë që ndodhen në Zonën e Mbrojtur apo në pjesën tjetër të qytetit, nuk lejohen ndërtime të reja në distancë jo më pak se 50 m larg nga muret rrethuese nëse ka apo nga muret e objektit.

PUNIMET NË ZONËN E MBROJTUR
Neni 15 i rregullores, thotë se projektet e rikonstruksionit të ndërtesave në këtë zonë, hartohen nga projektues ose subjekte projektuese të licencuar (për fushën), ndërsa projektet duhen mbështetur në studimet për rehabilitimin e imazhit të zonës së mbrojtur. “Projektet shqyrtohen në Këshillin Shkencor të IMK dhe miratohen në Këshillin Kombëtar të Restaurimit (KKR). Njësoj, edhe projektet për ndërtimet e reja në këtë zonë, hartohen nga projektues ose subjekte projektuese të licencuar në projektim për fushën e ndërtimit. Projektet hartohen me konsultën e DRKKsë Gjirokastër, apo subjekteve të licencuar për projektim në fushën e restaurimit. Projektet shqyrtohen në fazën e projekt-idesë në Komitetin e Administrimit të Qendrës Historike, i cili ia përcjell për shqyrtim Këshillit Shkencor të IMK dhe miratohen në Këshillin Kombëtar të Restaurimit (KKR)”,- përcakton rregullorja.

SHFRYTËZIMI, REKLAMAT DHE MAKINAT
Rregullorja miraton shfrytëzimin e monumenteve(neni 16) edhe për funksione të tjera nga ato për të cilat janë ndërtuar, veçse kjo vënie në përdorim, nuk duhet të dëmtojnë vlerat për të cilat monumenti është vënë në mbrojtje. Shfrytëzimi, bëhet vetëm me miratimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve (KKR), ndërsa kontrata e shfrytëzimit lidhet mes ministrisë dhe përdoruesit. Në këtë linjë, është edhe Neni 17, i cili merret me ‘vendosjen e elementëve dekorues dhe reklamave’ në objektet e trashëgimisë. Pika 1 e këtij neni nuk lejon vendosjen e elementëve që prishin pamjen dhe pengojnë fotografimin, filmimin dhe soditjen normale në monumentet e kategorisë I dhe II dhe as vendosja e xhamave me ngjyrë tjetër përveç llojit tradicional. “Vendosja e materialeve publicitare në objektet monument kulture bëhet në raste të veçanta festive- kulturore dhe ka karakter të përkohshëm, pa dëmtuar monumentin dhe me leje të ministrit”,- sqaron ky nen. Një nen i veçantë (18) i kushtohet lëvizjes së automjeteve. “Brenda Qendrës Historike, në rrugët e ngushta, kalldrëme apo në monumente të rëndësishme, si ura të vjetra etj, ndalohet kalimi i mjeteve të rënda, mbi 4 tonë, përveç rasteve emergjente, si dhe kur veprojnë forcat madhore”, ndërsa për parkimin e lëvizjen vendos DRRKja dhe Bashkia Gjirokastër. Mandej, vihet kusht që çdo objekt, monument kulture, në pronësi private ose shtetërore, brenda Qendrës Historike të qytetit-muze të Gjirokastrës apo jashtë saj, të jetë i pajisur me fikës zjarri portativë. MASAT Neni 20 i rregullores përcakton masat administrative sa i takon ndërtimeve të pa miratuara në KKR brenda Qendrës Historike. Në rast se këto evidentohen (përveç masave që parashikon ligji), DRKK Gjirokastër dhe IMK hartojnë një plan veprimi për kthimin në gjendjen e mëparshme të ndërtimeve të paligjshme i cili miratohet në KKR.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: