TIRANË- Miratohet rregullorja “Për përdorimin e armëve të zjarrit”, qëllimi i së cilës është sigurimi i zbatimit në mënyrë të njëjtë të parimeve, normave dhe procedurave të mbajtjes dhe përdorimit të armëve të zjarrit nga punonjësit e policisë dhe subjektet e tjera, të cilat pajisen me armë zjarri në bazë të ligjit përkatës për armët.

Sipas rregullores, institucionet që pajisin personelin me armë zjarri, duhet të sigurohen që personeli të përzgjidhet përmes procedurave të rregullta të testimit, cilësi fizike dhe psikike për ushtrimin efektiv të funksioneve të tyre, dhe të marrin trajnime profesionale të vazhdueshme e gjithëpërfshirëse. Aftësia e tyre e vazhdueshme për kryerjen e këtyre funksioneve të jetë objekt i shqyrtimit periodik. Strukturat e Policisë së Shtetit dhe subjektet e tjera duhet të krijojnë mundësinë për personelin në varësi që të trajtohet me psikolog në të gjitha rastet kur ky personel është përfshirë në situata ku janë përdorur armët e zjarrit.

Referuar kësaj rregulloreje, punonjësit e policisë kanë të drejtë ta mbajnë armën e tyre individuale edhe jashtë orëve të shërbimit, për ta përdorur atë në rast se është e nevojshme, në kuadër të kryerjes së detyrës së tyre. Ndërsa punonjësit e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike e mbajnë armën e zjarrit vetëm gjatë kohës së punës/shërbimit. Sipas rregullores së miratuar, përdoruesi i armës nuk ka përgjegjësi personale, që vepron për të ushtruar të drejta apo për të përmbushur detyra, të caktuara nga ligji ose nga një urdhër i dhënë nga eprori ose personi kompetent, veç rasteve kur urdhri është haptazi i kundërligjshëm.

Në një nen të kësaj rregulloreje thuhet se armët e zjarrit nuk mund të përdoren në asnjë rrethanë në rastin e protestave paqësore, qofshin ato të ligjshme apo të paligjshme. Përdoruesit e armëve të zjarrit nuk mund të përdorin armët e zjarrit kundër kafshëve, me përjashtim të rasteve kur ato paraqesin rrezikshmëri për njerëzit apo për të mos iu zgjatur agoninë.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb