NGA: ORNELA MANJANI
Këshilli i Ministrave përcakton kriteret dhe tarifat për pajisjen e hoteleve me certifikatën
e klasifikimit. Të gjitha strukturat akomoduese që do të aplikojnë pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të duhet të paguajnë disa tarifa për këtë proces. Rregullorja ka hyrë në fuqi dje, dhe përcakton se certifikimi do të bëhet nga një komision i posaçëm dhe do të ketë afat 4 vjet. Pas kësaj periudhe duhet të aplikohet për rinovim. Në këtë dokument janë parashikuar edhe tarifat shtetërore që duhet të paguhen për klasifikim, riklasifikim, rinovim, si dhe për lëshimin e certifikatës së klasifikimit, e cila do të jetë në shumën simbolike 100 lekë. Ndërsa verifikimi në terren nga ana e inspektorëve do të duhet të mbulohet nga subjektet akomoduese dhe për çdo njësi do të zbatohen tarifa të ndryshme. Sipas rregullores, që një strukturë të jetë e klasifikuar, do të duhet të përmbushë një sërë kriteresh që kanë të bëjnë me mjedisin, arredimin, shërbimin, argëtimin dhe stafet.

KËRKESA
Sipërmarrësi turistik që ushtron veprimtarinë strukturë akomoduese, duhet të paraqesë pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin kërkesën për pajisjen me certifikatë klasifikimi, duke plotësuar në sistemin elektronik të turizmit formularin e vetëdeklarimit, të miratuar me urdhër të ministrit. Sipërmarrësi turistik mban përgjegjësi për vërtetësinë e të dhënave të deklaruara. Pas dërgimit të formularit, kërkuesi pajiset me një numër aplikimi të gjeneruar nga sistemi. Gjatë procedurës për pajisjen me certifikatë klasifikimi, sipërmarrësi turistik mund të ushtrojë veprimtarinë si strukturë akomoduese.

PROCESI I VERIFIKIMIT
Për verifikimin e të dhënave të vetëdeklaruara nga kërkuesi, ministria bashkëpunon me agjenci dhe organizata ndërkombëtare të mirënjohura në fushën e vlerësimit të strukturave akomoduese, të cilat, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me ministrinë, kryejnë vlerësimin për klasifikimin e strukturës akomoduese. Ministria njofton kërkuesin për kryerjen e pagesës së tarifës së verifikimit në llogarinë e ministrisë, në llogarinë e unifikuar të Thesarit të Shtetit. Brenda 5 ditëve nga kryerja e pagesës së tarifës së verifikimit, ministria njofton kërkuesin për datën/datat e caktuara për verifikimin e kushteve dhe kritereve që plotësohen nga struktura akomoduese. Data për verifikimin caktohet, të paktën
5 ditë pas njoftimit të kërkuesit nga ministria. Komisioni, brenda 10 ditëve nga marrja e vendimit për përcaktimin e kategorisë dhe nivelit të klasifikimit, përgatit certifikatën e klasifikimit dhe njofton me shkrim kërkuesin për vendimin.

CERTIFIKATA
Certifikata e klasifikimit nënshkruhet nga ministri dhe përmban:
a) emrin e shoqërisë dhe emërtimin e strukturës akomoduese;
b) kategorinë dhe nivelin e klasifikimit;
c) datën e lëshimit të certifikatës së klasifikimit;
ç) afatin e vlefshmërisë. Kërkuesi duhet ta tërheqë certifikatën e klasifikimit brenda 30 ditëve nga data e njoftimit, në të kundërt, ai do të konsiderohet i paklasifikuar nga autoritetet e kontrollit dhe të inspektimit dhe do të mbajë përgjegjësi administrative, sipas legjislacionit në fuqi.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: