Nga Klodiana Lala
Në gjyqin ndaj Denis Shtrazës, i dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut u dëgjuan dëshmitë e tre oficerëve policie. Ata shpjeguan në seancë, sesi u konstatuan njollat e gjakut në makinën “Mercedes ML” me të cilën dyshohet të jetë rrëmbyer 40-vjeçari.

Rebani Farruku, oficer i krimeve të Rënda në policinë e Durrësit, i tha trupës gjykuese se njollat e gjakut u konstatuan tri javë pas bllokimit të automjetit.

“Kam bërë kontrollin paraprak të mjetit, në momentin kur ndaluam Denis Shtrazën e Ervin Dalipajt, me vonë në komisariat me elektrik dore. Mjeti u mbyll dhe qëndroi në oborrin e policisë. Disa ditë më vonë u çua në pikë bllokimi. Atje u konstatua njolla e gjakut dhe mjeti u kthye për këqyrje”.

Oficeri i policisë gjyqësore, Lorenc Dervishi, ndër të tjera dëshmoi:
“Tek pika e bllokimit mbahet një procesverbal mbi gjendjen e mjetit. Kur do shikohej goma rezervë u vu re prania e njollave të gjakut. Në këtë moment u njoftua prokurori dhe makina u kthye për këqyrje në polici”.

Makina me të cilën udhëtonin Shtraza e ish-oficeri i ndjerë i Policisë Ervin Dalipaj, sekuestrua me 7 janar 2016 dhe vetëm 19 ditë më vonë në të u gjetën njollat e gjakut.

Gazmend Çollaku u rrëmbye në parkingun e një lokali mbrëmjen e 6 janarit 2016 nga katër persona të veshur me uniforma ushtarake. Ai u gjet i pajetë në Murqinë të Krujës. Rrëmbyesit e kishin torturuar 40-vjecarin dhe lidhur këmbë e duar.

Sipas prokurorisë njollat e gjakut të gjetura në makinës luksoze janë të njëjta me ato në fashetat e lidhura në duart e viktimës. Avokatët ngrenë dyshime të forta se provat janë manipuluar nga policia gjatë kohës që makina mbahej në ruajtje prej saj.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb