Dritan Rexhepi ka dëshmuar për herë të parë në Gjykatën e Posaçme sa i përket rrëmbimit e më tej zhdukjes së Jani Prengës, ngjarje e ndodhur në janar 2020.

Ai ka deklaruar se në fundin e vitit 2019 ka qenë jashtë Shqipërisë, ekzaktësisht ishte në burg në Ekuador, i dënuar për trafik droge.

“Kisha më shumë se 5 vite që vuaja dënimin. Kisha kontakte me njerëzit jashtë përmes kabinës së burgut. Shqiptarë aty kishte plot në burg, afërsi kisha me njërin nga Kosova. Për trafik droge u akuzova me 10 persona të tjerë, aso kohe i përfshirë ishte edhe një shqiptar, i cili doli i pafajshëm. Gentian Docaj ( Funiqi) e kam dëgjuar në media dhe në dosjen e kam lexuar. Emri nuk më thotë gjë. Me Gentjan Funiqin nuk kam pasur njohje, kurrë në jetë. Martin Bleta nuk e kam të dëgjuar, as Korado Gështenja”, tha ai.

Ndërkohë Rexhepi pretendon se lajmin që ishte i akuzuar për rrëmbimin e Jani Prengës e ka marrë vesh nga familjarët.

“Nëpërmjet një familjari u mundova të marr informacione, dhe më kanë thënë se dhe më thanë qe ka disa përgjime mes një personi që ka thënë jam Gramozi nga Vlora dhe familjarëve të familjes. Këto përgjime telefonike nuk kanë dalë kurrë. Pse nuk i nxirrni, kur thuhet që ka përgjime mes meje dhe familjarëve të viktimës. Nuk jam unë personi. Ka ardhur dhe vetë vëllai i viktimës këtu dhe ka thënë këto fjalë. Unë nuk i njoh ata persona. Unë mbaj përgjegjësi ca bëj unë, jo ç’thonë të tjerët”, tha ai, ndërkohë që ka akuzuar edhe mediat se e kanë “sulmuar”.

“Gazetarët po më bënin copa në media. Problemi ishte i hasmërisë sepse po akuzohesha se kisha marrë një person peng. Unë nuk jam Gramozi nga Vlora qe flitet aty. Gramoz nga Vlora ka 500 vetë. Pa bërë asnjë lloj hetimi akuzohem unë. Unë kisha një emër, Dritan. Emrin Gramoz e kam patur në fëmijëri, deri në moshën 25 vjeç. Vetëm familjarët me thërrisnin Gramoz. Nuk jam i martuar, kam fëmije me një ekuadoriane si dhe dy fëmijë 5 dhe 3 vjeç”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë në këto momente Prokurorja Elida Kacckini kërkon që seanca të mbahet me dyer të mbyllura, gjë që është kundërshtuar nga avokatja e Dritan Rexhepit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb