NGA: KLODIANA LALA*
Pengmarrja e Klajd Gjeçit, një personazh ky i njohur për policinë e drejtësisë shqiptare, për shkak të precedentëve të mëparshëm kriminalë, nuk zgjati shumë. Policia mundi brenda pak orësh të çlirojë Gjeçin nga duart e agresorëve dhe të dërgojë në pranga dy prej të dyshuarve. Klejdi Yzeiraj, 27 vjeç dhe Martin Seferi, 31 vjeç janë arrestuar nën akuzën e “pengmarrjes”. Policia shpalli në kërkim të dyshuarin e tretë, E.Y, 31 vjeç.

“Këta persona me datë 25.12.2015, rreth orës 20.35, në rrugën e Dibrës në bashkëpunim me njëritjetrin, pasi një konflikti të çastit për motive të dobëta, kanë rrahur dhe më pas kanë marrë me forcë nga mjeti tip ‘Peugeot’, me targa AA 588 FP, shtetasin Klajdi Gjeçi, 37 vjeç, banues në Tiranë, të cilin pasi e kanë hipur në automjetin e tyre tip ‘BMV X-6’ e kanë dhunuar fizikisht atë”, njoftoi policia. Në fakt, pengmarrësit me qëllim që t’i shmangeshin policisë, e lanë makinën e tyre dhe e zhvendosën pengun në një taksi, por nuk kishin kaluar as 2 orë e 30 minuta, kur u zbuluan nga policia, kjo edhe falë kamerave rrugore.

Ndonëse, policia deklaron se pengmarrja ka si motiv një konflikt të çastit mes Klajdi Gjeçit dhe të dyshuarve, në fakt është duke hetuar edhe rreth të kaluarës problematike të 37-vjecarit. Burime të besuara për “GSH” thanë se ka dyshime të forta se pengmarrja ka lidhje me të shkuarën e Gjeçit, person me precedentë të theksuar kriminalë dhe që njihet si një prej të njohurve të Emiljano Shullazit. Madje, rasti më i fundit ishte ai i plagosjes së lehtë të një personi në zonën e Komunës së Parisit. Por, në shtator gjykata e kishte pushuar çështjen, me kërkesë të prokurorisë, pasi personi që ishte plagosur nga Gjeçi përmes një deklarate noteriale, tërhiqej nga ankimi.

DËSHMIA E YZEIRAJT
Klejd Yzeiraj ka rrëfyer dje para hetuesve “të vërtetën” sipas tij për rrahjen dhe marrjen peng të Klajd Gjeçit. Ai ka shpjeguar se është pronar i një lokali në zonën e Freskut. Në lokalin e tij kishte shkuar një person, i cili ishte konfliktuar ashpër me një prej kamerierëve. “Kamerieri na shpjegoi ngjarjen, personin me të cilin kishte bërë sherrin si dhe makinën me të cilën udhëtonte. Ne e ndoqëm dhe i premë rrugën, në afërsi të Farmacisë 10”, ka shpjeguar ai.

Mandej si për t’u shfajësuar, ai është shprehur se pasi e kanë futur në makinën e tyre tip Fuoristradë dhe pasi kanë debatuar me të, janë bindur që nuk ishte njeriu që kishte bërë sherrin me kamerierin, por këtë arsye e kanë vendosur në një taksi dhe Yzeiraj pretendon se do e shoqëronin në shtëpi. Por, pavarësisht kësaj, ai dhe Martin Seferi do të qëndrojnë prapa hekurave për akuzën e pengmarrjes. Ndërkohë, që po hetohet nëse objektivi i pengmarrjes ishte Klajd Gjeçi, apo ndonjë person tjetër. Policia ngre këto dyshime, pasi automjeti me të cilin udhëtonte 37-vjevari i përkiste shtetasit D.C.

(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: