Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se tre policët janë rrëmbyer sot brenda territorit të Kosovës.
Ai u shpreh se veprimi i sotëm është vijim i luftës së Kosovës me bandat fashiste të presidentit Aleksandër Vuçiç në veri të Kosovës.
Sipas tij këto banda kanë qëllim pengimin funksionimit të rendit e ligjit në veri dhe zbatimin e projektit të tyre për të ndarë atë pjesë nga Kosova.
Banda të tillë sipas tij nuk njohin as dallim etnik, pasi prej më shumë se dy dekada kanë terrorizuar edhe serbët e veriut si edhe kanë eliminuar fizikisht kandidatë për kryetrë komunash që nuk ishin në një linjë me politikën e Beogradit.
“Rrëmbimi i tre policëve kufitarë të Kosovës, nuk ishin pjesë e njësisë speciale është bërë në një pikë statike që është ruajtur nga policia e Kosovës. Njihet si pikë për kontrabandë. Vazhdimësi e luftës së Kosovës me bandat dhe manifestim i asaj që e kemi thënë për një kohë të gjatë.
Sot nuk kam asgjë të them për qëndrimet e kundërta mes Kosovës e Shqipërisë, na bashkon respekti për integritetin territorial të Kosovës që sot është shkelur.
Bandat e Vuçiçit janë banda fashiste, nuk kanë dallim etnik.
23 vjet kanë terrorizuar edhe serbët e veriut, kanë vrarë edhe kandidatët për kryetarë komunash që nuk ishin në një linjë me politikën e Beogradit.
Është një luftë e jona me bandat e Vuçiçit që duan të pengojnë funksionimin e rendit e ligjit në atë pjesë e zbatimin e projektit të tyre për të ndarë atë pjesë nga Kosova.
Synimi i rrëmbimit ishte që të demonstrojnë vijimin e politikave të tyre, hakmarrje për arrestimin e kreut të bandës, dhe të demoralizojnë policët e Kosovës, por Kosova nuk tërhiqet e nuk dorëzohet para bandave të Vuçiçit”, tha ai.
Ai foli edhe në lidhje me mungesën e një qëndrimi të qartë nga ndërkombëtarët dhe dënimin e një veprimi të tillë.
Muja u shpreh se çdo herë që ndërkombëtarët dalin me qëndrime të tilla, janë ndjekur nga pasoja.
“Ajo çfarë i duhet Kosovës është qartësi për marrëveshjen e Brukselit, sepse ky veprim është shkelje e nenet dy.
Nuk ka ndryshuar Serbia, qëllimi i tyre është i qartë, copëtimi i Bosnjës, Kosovës e Malit të Zi.
Ndërkombëtarët duan një Ballkan stabël por Serbia nuk e do këtë.
Çdo herë kur ndërkombëtarët ka qenë i paqartë apo paqësues ndaj vijimësisë së Milosheviçit, kjo ka sjellë pasoja në Ballkan, katër luftëra.
Çdo herë deklaratat e tilla janë përcjellë me sulme ndaj policisë dhe qytetarëve në Kosovë.
Ata që kuptojnë diçka nga historia, e kuptojnë që kur bëhen të tilla deklarata ndiqen me pasoja”, tha ai.
(BalkanWeb)