Ato vlerësohen si “viagra natyrale” dhe si një ushqim që të jep energji: rrënjët e “Maca”-s, një perime që i përket familjes së rrepave – e që në fakt ngjan shumë me to – e cila rritet në malet mitike të Perusë.

Në Europë dhe Amerikë, në vitet e shkuara, ato janë bërë gjithnjë e më të kërkuara. Mirëpo këtë vit, tregtarët kinezë duket se kanë blerë pjesën më të madhe të të korrave të fshatarëve peruanë. Si pasojë, çmimi i “Maca”-s është rritur të paktën me dhjetëfishin e asaj që ishte vite më parë, të thonë fshatarët.

Eksportuesit peruanë thonë se kërkesa agresive ka sjellë madje edhe prishjen e disa kontratave afatgjata. Prodhuesit e produktit natyror kanë frikë se mos nga kjo tregti e shfrenuar, ata do të dalin një ditë nga tregu. Nga autoritetet policore thuhet se kërkesa në Peru ka shkaktuar madje edhe vjedhje të dhunshme të prodhimit d.m.th. të thasëve me “Maca”.

Xhiro që arrihet me rrënjët pjesërisht të përpunuara të “Maca”-s, që thahen në oborre të vogla fshatare apo në fabrika, po shkon gjithnjë e më lart. Qeveria peruane paralajmëron se rrënjët e kësaj rrepe tashmë po shkulen me qëllime kriminale për t’u mbjellë në vende të tjera. Që prodhimi peruan përdoret pjesërisht për të përmirësuar produkte kineze të cilësisë së dobët, kjo tashmë është bërë e qartë.

Kontrabanda me kuaj deti dhe krahë peshkaqeni

Autoritetet peruane në Lima e kanë ndaluar ndërkaq eksportin e rrënjëve bruto të “Maca”-s. Zyra e financës e këtij vendi pohoi se këtë vit, shumë tonë prodhim të rrënjëve të papërpunuara, janë konfiksuar, para se ato të nxirreshin kontrabandë nga Peruja. Një pjesë e tyre ishte caktuar të arrinin tregjet aziatike së bashku me produkte të tjera si kuaj deti dhe bishta e krahë peshkaqeni.

“Ato nuk u përmbahen ligjeve të eksportit”, ankohet Jorge Tejada, një specialist vendas i “Maca”-s në kabinetin qeveritar rajonal të Juninit, për sjelljen e tregtarëve të huaj. Ai vlerëson se këtë vit janë nxjerrë kontrabandë më shumë se 4,4 milionë paund (1 paund = 0,453 592 37 kg) “Maca” nga vendi i tij.

Vlera legale e “Maca”-s së eksportuar drejt Kinës deri në shtator të këtij viti arriti kuotën e 6 milionë dollarëve amerikanë kundrejt 540.000 dollarëve që shënonte një vit më parë, raportonte së fundmi Ministria peruane e Tregtisë me Jashtë dhe Turizmit. Eksportet drejt SHBA-së deri në shtator shënonin 5,5 milionë dollarë, krahasuar me 6,8 milionë për të gjithë vitin 2013.

Para rreth më shumë se dhjetë vjetësh, “Maca” ishte aq e lirë saqë rrënjët e saj as që vileshin. Tashmë një paund “Maca” shitet të paktën 13 dollarë, dhjetë herë më shumë se sa në fillim të vitit.

Një pjesë e madhe e rrënjëve të “Maca”-s ka ngjyrë kremi, rrënjët e zeza që kërkohen aq shumë të kësaj rrepe, përkundrazi mund të kapin në treg edhe vlerën e 45 dollarëve për paund.

Disa ndërmarrje në SHBA nuk kanë më pse të presin deri sa të nisë sezoni i ri i të korrave në mes të vitit të ardhshëm. Sepse do të jetë vonë: një pjesë e të korrave të ardhshme, tashmë u është shitur tregtarëve nga Kina, thonë fshatarët peruanë.

Në fakt, rrënjët e “Maca”-s mbillen e kultivohen pjesërisht edhe në Kinë, mirëpo tregtarët sigurisht se mundohen pikësëpari të sjellin prodhimin origjinal peruan, i cili prej mijëra vjetësh rritet në mënyrë natyrale në malet e rajonit Junin në Peru. Sasi të vogla kultivohen edhe në pjesë të tjera të Perusë dhe në Bolivinë fqinje.

Për kinezët, një alternativë ndaj Ginseng-ut

Në Kinë, “Maca” përdoret si alternativë ndaj “Ginseng”-ut, një tjetër rrepë e shumëkërkuar, e cila në mjekësinë tradicionale kineze, përdoret si tonik shëndetësor dhe si një mjet natyral për të kuruar problemet seksuale, e që sidoqoftë është vështirë të gjendet në sasi të mëdha, pasi është shumë e rrallë.

Konsumatorët e ndiejnë qysh tani uljen e sasisë së korrur në SHBA, ku shumë klientë e përziejnë pluhurin e “Maca”-s në pije e ushqime. Përveç kësaj, “Maca” shpesh merret edhe në format e kapsulave, apo dhe si ekstrakt i lëngshëm, në formë çaji, apo në atë të çokollatës.

“Çmimi i ‘Maca’-s duket se e ka kaluar disi kufirin. Tregu mund të shpërthente”, thotë Chris Kilham, këshilltar te firma Naturex, një shpërndarës francez që ka ekskluzivitetin për medikamentet që u shtohen prodhimeve ushqimore.

Në tregun e produkteve natyrale “Sevananda” në Atlanta, SHBA, gjatë shtatorit e tetorit, nuk gjendej më asnjë gram pluhur i “Maca”-s, thotë shitësja e këtij rrjeti, Betsy Abrams. Normalisht ajo blinte deri në dhjetë kilogramë në muaj nga tregtarët e shumicës, për të mbuluar kërkesat në dyqanin e saj, mirëpo këtë radhë, ajo nuk ka mundur të gjejë gjë. “Klientët janë shumë të irrituar që s’po mundin ta gjejnë dot mallin që donin”, thotë ajo. “E pra po ju them, – thotë ajo – se unë s’po gjej dot më ‘Maca’, sepse atë e blejnë të gjithën kinezët”.

(er.nu/shqip/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: