INDI-Moti i nxehtë i dy javëve të fundit në Indi ka shkaktuar të paktën 1000 të vdekur, bëjnë të ditur autoritetet shëndetësore të këtij vendi.

Temperaturat kanë arritur deri në 48 gradë celsius në disa zona të vendit, sipas agjencisë meteorologjike indiane. Numri më i lartë i vdekjeve për shkak temperaturave të larta është shënuar në provincat jugore Telangana dhe Andra-Pradesh, ku kanë humbur jetën të paktën 140 persona brenda javës, shumica të pastrehë dhe punëtorë ndërtimi.

Zyrtarë të lartë indianë theksojnë se në Utar-Pradesh temperaturat kanë arritur deri në 48 gradë, ndërsa në Nju-Delhi deri në 45 gradë celsius.
Autoritetet shëndetësore në Indi bëjnë thirrje për më shumë kujdes dhe konsumimin e sa më shumë lëngjeve.

Të prekur nga moti i nxehtë nuk janë vetëm njerëzit, por edhe kafshët.
Në kopshtet zoologjike, kafshët spërkaten vazhdimisht me ujë të freskët për të shmangur komplikimet shëndetësore të tyre.

Meteorologët indianë njoftojnë se temperaturat e larta në vend do të vazhdojnë edhe për dy javë, edhe pse brenda disa ditësh priten reshje.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: