Epilepsia në Shkodër dhe Shqipëri: Një sëmundje e trajtueshme, por ende tabu
Rreth 2 mijë persona në Shkodër janë të prekur nga epilepsia. Këto të dhëna u bënë publike në Ditën Botërore të Epilepsisë nga mjeku neurolog Genc Nurja, i cili thekson se 1.2% e popullsisë vuan nga kjo sëmundje, e cila prek kryesisht fëmijët dhe moshat e treta.

“Shifra prej 1.2% të popullsisë të prekur nga epilepsia është shqetësuese, por nga ana tjetër, është një sëmundje e trajtueshme. Me mjekim të duhur, krizat epileptike mund të minimizohen dhe pacientët mund të kenë një jetë normale.”, shprehet mjeku neurolog Genc Nurja.

Sipas mjekut Nurja, numri real i të prekurve mund të jetë edhe më i lartë, si në Shkodër ashtu edhe në rang kombëtar, për shkak se kjo sëmundje mbetet ende një tabu për shumë familje.

“Në Shkodër dhe në Shqipëri, numri i të prekurve mund të jetë më i lartë, pasi shumë raste nuk raportohen për shkak të paragjykimeve dhe mungesës së ndërgjegjësimit mbi sëmundjen.”, tha Nurja.

Në Shqipëri, llogaritet se rreth 18,500 persona vuajnë nga epilepsia. Nëse nuk trajtohet në kohë, kjo sëmundje mund të avancojë dhe të sjellë pasoja serioze, madje edhe fatale. Në nivel global, afro 50 milionë njerëz vuajnë nga epilepsia, ndërsa çdo vit 125 mijë persona humbin jetën si pasojë e saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb