Pas rreth gjysmë ore para prokurorëve të Posaçëm, Berisha ka lënë ambientet e SPAK.

Ai ka zbuluar për gazetarët se tashmë është zyrtarisht i pandehur, ndërsa ka treguar edhe një pjesë të asaj që sipas tij tha para prokurorëve.

“Dy gjëra, deklarova sa vijon, kjo është një piramidë fund e krye mashtrimi. Kjo ishte deklarata ime.

Vizitova pjesën muzeale të Skapit. Në pjesën muzeale të Skapit gjendej ora 400 mijë e 600 euro e qëndisur me diamante, dhurata e Edi Ramës. Gjendej fotografia. Gjendej fotografia e Amant Josifit për meritat e tij në spekulimin dhe mashtrimin botëror. Gjendej Ymer Lala tek i jepte Dumanit 1 milion euro për pyetjen që nuk i bëri.

Gjendej Taulant Balla, i cili po merrte shpërblimin e Suel Çelës për shpërblimin e vrasësve të Lulzim Kullës. Gjendeshin horra që shkojnë nga gjykatësi në gjykatës dhe u bëjnë forma më të neveritshme presioni, duke përdorur dokumente antiligjore për t’i mbajtur peng ata. Gjendeshin dokumente nga Greqia të Irenës me 5 mbiemra, të cilat i ruante Dumani në kasafortë. Tregojnë që është një delinkuente e dënuar. Gjendeshin 100 milionë euro të Edi Ramës dhe Beqës. Gjendeshin 300 milionë euro të Vilma Nushit që i ndan me Edi Ramën. Gjendeshin 4 miliardë euro të Edi Ramës dhe Alabarit.

Kjo është shpella e krimit të organizuar në Shqipëri. Organizata më e rrezikshme kriminale në Shqipëri dhe Europë. Sot jam zyrtarisht i pandehur. Për ato akuza që kam pasur, asgjë tjetër. Asgjë tjetër përveç 500 faqe me mashtrime, mashtrime, mashtrime. Asgjë nuk ndryshon. Është vazhdimi i një hakmarrje politike, zbatimi i një urdhri mafioz politik.

Për mua, kjo nuk ndryshon asgjë. Ajo që është themelore, që nuk ekziston asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument që të dëshmojë që në të gjithë këtë proces ka ndodhur shkelja më e vogël”, tha ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb