Kishte katër-pesë vjet që përflitej se PS zotëronte një armë sekrete të pathyeshme për të fituar zgjedhjet përherë: Regjistrin. Që nuk e kishte askush tjetër. Nuk ishte fjala për regjistrin kombëtar të zgjedhësve, të cilin e ka çdo parti, por për një “ regjistë” tjetër, atë të votuesve numerikisht në vend të parë, që votonin e duhej të votonin për Partinë Socialiste. Vetia për të përjetësuar partinë në pushtet e pamundësuar rrotacionin i jepte “regjistrit” imazhin e një fantazme të frikshme, që u rrinte zgjedhjeve mbi kokë natë e ditë. E vërteta shpërtheu pak përpara zgjedhjeve të 25 prillit të këtij viti nga portali “Lapsi al”.Dikush nga brenda PS-së dorëzoi pranë këtij portali një database me të dhënat e 910 mijë qytetarëve të Tiranës, marrë nga portali qeveritar i shërbimeve publike e-Albania.
Bashkëngjitur dhe një rrjet i gjerë personash të caktuar nga Partia Socialiste, që hëm i përdornin, hëm i përditësonin këto të dhëna për qëllime elektorale. Plasja e këtij skandali pa precedent tregoi se “regjistri i frikshëm” ishte në thelb një eufemizëm i rrethimit të zgjedhjeve me një trupë të re politike, që u ishte shtuar trupave të mëparshëm- nëpunësve publikë partiakë, individëve me rekorde kriminale e tjerë- dhe që me sa duket kishte rezultuar më efektive. Këta ishin patronazhistët, një funksion që nuk ishte zënë në gojë më parë nga drejtuesit e PS-së dhe qeverisë. Por kur skandali plasi, për të relativizuar efektin e tij duke e pohuar si një gjë të mirëqenë dhe kryesorja, për t’u dhënë zemër patronazhistëve të trembur nga demaskimi të vazhdonin deri në fund punën e tyre të gardianëve të zgjedhjeve, Kryeministri i përmendi për herë të parë me emrin e funksionit, i mori në mbrojtje, i vlerësoi, i lartësoi.
Pas zgjedhjeve, në mitingun e fitores së PS-së në sheshin “Skënderbej”, Rama i falënderoi ata përpara gjithë të tjerëve. Përpara strukturave legale të partisë, para anëtarëve dhe të zgjedhurve në forumet partiake, para shtabeve, para kandidatëve. Ndershmërisht, sipas meje. Patronazhistët kishin qenë të parët. Kontributi i tyre ishte më i madh se i gjithë të tjerëve. Ata e kishin forcuar e përsosur rrethimin e zgjedhjeve në atë pikë saqë Kryeministri, pa nisur akoma punën për mandatin e tretë, të shprehte sigurinë e plotë se ai dhe partia e tij do të fitonte të katërtin, të pestin e kështu pa mbarim. E gjithë kjo jo falë ndonjë historie suksesi apo mrekullie ekonomike –Shqipëri s’ka shanse ta lëshojë vendin e fundit në Europë me modelin ekonomik të qeverisë dhe korrupsionin endemik të saj- por falë lidershipit të Ramës dhe pa dyshim, patronazhistëve.
Ky është binomi i ri. Ja se si patronazhistët, kjo specie politike e panjohur në botë, u projektua ta ngrejë Shqipërinë e vogël në rangun e një fuqie që sfidon vetë historinë e demokracisë, duke i hequr një cilësi jetëdhënëse siç është rrotacioni dhe duke i shndërruar zgjedhjet në një formalitet me elementë parodie, ku sipas Ramës fiton gjithnjë e njëjta parti. Kryeministri ka përsëritur disa herë se i ka marrë nga përvoja e partive perëndimore. Në Europë dhe SHBA, partitë kanë aktivistë, të zgjedhur, koordinatorë, vullnetarë, grupe interesi, agjitatorë që bëjnë fushatë, shpërndajnë materiale, telefonojnë, kërkojnë votën në takime e derë me derë. Ka shtabe elektorale që kanë listat e zgjedhësve dhe një ide për orientimin e votës së tyre.
Të gjitha këto, edhe pse në lidhjen e tyre janë të tepërta dhe bezdisëse për një pjesë të popullsisë, prapëseprapë janë pjesë e lojës politike. Por patronazhim si në Shqipëri, ku partia në pushtet ngarkon një numër njerëzish të joshur e peshkuar me interesa nga më të ndryshmet për të “mbuluar” secili një numër të caktuar zgjedhësish duke i armatosur me të dhënat e tyre personale që ata i kanë deklaruar në portalin e qeverisë kur u është dashur të marrin shërbime të ndryshme, nuk di të ketë në ndonjë vend demokratik të botës. Vetë koncepti klasik i patronazhit ka kuptimin që dikush më i aftë a më i mundshëm merr përsipër të kujdeset për një tjetër a disa të tjerë më pak të aftë apo me kufizime të ndryshme. Patronazhin si të tillë e ndeshim që nga niveli i shkollave ku nxënësit me dhjeta marrin në patronazh nxënësit e dobët e deri në nivelin e institucioneve fetare, të karitasit e të tjerë, që marrin në patronazh grupe dhe komunitete në nevojë qoftë për jetën, qoftë për edukimin.
Në çdo nivel dhe për çdo motiv, patronazhi ka një gjë të përbashkët që nuk ndryshon: konsensualitetin mes palës që merr përsipër të patronazhojë dhe palës që pranon të patronazhohet. Kujt i kanë marrë lejë patronazhistët e PS-së të patronazhojnë zgjedhësit e lirë, zgjedhësit e partive të tjera, apo edhe të PS-së, për të cilët gjithashtu vota është një çështje e koshiencës politike vetjake, pavarësisht se e shfaqin apo jo publikisht? Askujt. Patronazhimi i zgjedhësve nga PS është i njëanshëm, është një imponim, është një ndërhyrje në ndërgjegjen politike dhe jetën private të njerëzve. Pa dijeninë e tyre deri në momentin kur skandali u bë publik. Njerëzit në Shqipëri kanë pyetur e pyesin çfarë janë patronazhistët në raport me partinë, anëtarësinë, organizatën, shtabin elektoral? Pse qenkan ata më të rëndësishëm? Kjo është një pyetje që kërkon më shumë informacion dhe thellim në brendi të fenomenit.
Ajo që mund të thuhet tani për tani është se patronazhistët janë një organizim paralel, një strukturë paralele, me përbërje të larmishme ku ka anëtarë të partisë, individë pa parti të përzgjedhur si njerëz me influencë në lagje e deri individë me rekorde kriminale që joshen me mbështetje e symbyllje qeveritare për punët e tyre të paligjshme. Rasti i arrestimit pak kohë me parë i N. Harkës, një patronazhist i Partisë Socialiste, që drejtonte një grup të trafikut të kokainës në Gjermani, është domethënës për specifikën e punës së patronazhistëve. Në radhët e tyre ka që marrin vesh me shumë se të zgjedhurit partiakë se çfarë kanë në mendje njerëzit në lidhje me votën.
Që është e duhet të jetë e fshehtë në princip. Ka prej tyre që nuk e kanë problem të çojnë paratë në këmbim të votës apo të përdorin kërcënime. Për këtë janë patronazhistë. Nëse përdorim një krahasim, që çalon si çdo krahasim, ata janë pak a shumë si strukturat paramilitare në raport me ato militare. Janë herë komplementarë, herë pjesë integrale e PS-së, siç kanë qenë dhe janë akoma disa grupe kriminale në vend. Ata janë për të joshur, premtuar, bërë presing dhe presion sipas nevojës ndaj një kategorie zgjedhësish të ftohur me qeverinë që PS i konsideron të vathës së vet, apo edhe ndaj zgjedhësve pa parti që kanë ndonjë problem në punë dhe jetën e tyre, apo ndaj zgjedhësve të shitshëm, sipas fjalës që përdorin blerësit e votës.
Ata përpiqen të futen në mendjen e zgjedhësve, ata mbajnë shënime për orientimin e votës së tyre, këto shënime piramida e pushtetit të PS-së i ka si referim bazë për punësimin e njerëzve në sektorin publik dhe për çdo përfitim tjetër. Kushdo që në shënimet e patronazhistëve rezulton votues i opozitës, shihet si i njerkës, është gjithnjë i fundit për t’u marrë në punë dhe i pari për t’u hequr. Me pak përjashtime për efekte propagandistike, që vetëm përforcojnë rregullin. Në të kundërtën, votuesit e PS-së i kanë rrugët e hapura. Në këtë mënyrë, struktura e patronazhistëve, përveçse është syri i shumëfishuar i Vëllait të Madh në popull si në romanin destopik “1984” të Xhorxh Oruellit, kontribuon fuqishëm për krijimin e republikës së të tanëve, domethënë të votuesve dhe fansave, që është e kundërta e republikës së qytetarëve, shkatërrim i saj.
Rama, siç thamë më lart, ka mëtuar ta paraqesë këtë organizim gjysmë okult në kufijtë e legales, duke e treguar emërtimin patronazhistë si sinonim të agjitatorëve e vullnetarëve partiakë anembanë botës. Është e vërtetë se puna e patronazhistëve të PSsë pritet me punën e agjitatorëve dhe të zgjedhurve partiakë në disa prej detyrave që kryejnë, por ka edhe pjesën origjinale ku spikat kreativiteti i mendjes së Ramës. Asnjë Kryeministri dhe kryepartiaku në botë nuk i ka shkuar në mendje të shtyhet aq larg sa të patronazhojë zgjedhësit pa dijeninë e tyre, duke u përdorur të dhënat personale që ata vërtet i deklarojnë në banka, në institucione të tjera apo në e-Albania në bazë të rregullave të identifikimit për shërbimet që marrin, por duke menduar se janë në mirëbesimin e këtyre institucioneve, pa u shkuar mendja se të dhënat e tyre mund t’u trafikohen patronazhistëve partiakë. Ky është një shpërdorim i rëndë.
I gjithë operandi patronazhist është një ndërhyrje arbitrare në lirinë e njerëzve për të zgjedhur. Juristët mund të shprehen më saktë me kompetencën e profesionit, por unë kam përshtypjen së operandi patronazhist shkon në shkelje të lirive dhe të të drejtave themelore të garantuara me kushtetutë. Zgjedhjet në Shqipëri janë cenuar e manipuluar përgjatë tri dekadave në lloj-lloj formash nga të gjitha partitë në pushtet. Rrethimi i tyre ka qenë i llojllojshëm gjithashtu, një herë me policë e shikas, një herë tjetër me gjykatës, pastaj me administratë, me kriminelë, me premtime, me kërcënime, me para. Janë rrethime që nuk mund të mos binin në sy dhe të mos demaskoheshin. Ky i rrethimit me patronazhistë është nga më të rrezikshmit për faktin që Rama kërkon të tregojë si një gjë legale. Është a nuk është legale, kjo duhet të sqarohet në rrugë gjyqësore nga opozita, pranë institucioneve vendase dhe ndërkombëtare po të jetë nevoja. Përpara zgjedhjeve vendore. Përndryshe “regjistri” do të godasë përsëri. Sa? Aq sa i duhet PS-së për të bërë numrin e fitores. PS është vetë një parti e madhe. Sikurse PD. I mjafton një sasi votash të paligjshme e të dyshimta për të kaluar rubikonin./panorama