CNN raporton këtë në bazë të informacioneve nga burime pranë qeverisë: “Ky nivel kërcënimi nuk është parë për 10 vjet”

Bazat ushtarake amerikane në Evropë thuhet se janë në “gadishmëri maksimale” për shkak të rrezikut të një sulmi terrorist. Kështu raporton transmetuesi amerikan CNN, duke cituar dy zyrtarë qeveritarë.

Bazat, duke përfshirë Garnizonin e Ushtrisë Amerikane në Shtutgart, Gjermani, ku është vendosur Komanda Evropiane e SHBA-së, kanë ngritur nivelin e tyre të gatishmërisë në kushtin e mbrojtjes “Charlie”.

Ky status “zbatohet kur ndodh një incident ose kur merret informacion që tregon se një formë e veprimit ose sulmit terrorist kundër personelit ose objekteve amerikane është e mundshme”, sipas ushtrisë amerikane.

Një nga zyrtarët amerikanë, i cili ndodhet në një bazë në Evropë, i tha CNN se ky nivel kërcënimi nuk ishte parë “për të paktën 10 vjet”, një referencë për sezonin e sulmeve terroriste që goditën Francën, Belgjikën dhe Gjermaninë. I njëjti zyrtar shpjegoi se statusi maksimal i gatishmërisë zakonisht nënkupton që ushtria ka marrë një “kërcënim aktiv të besueshëm”.

Është e paqartë se çfarë inteligjence shkaktoi masat e shtuara të sigurisë, por autoritetet evropiane kanë ngritur alarmin për një kërcënim të mundshëm terrorist në kontinent, veçanërisht përpara Olimpiadës së Parisit në korrik dhe gjatë kampionatit aktual evropian të futbollit në Gjermani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb