Një qytetar rrezikon të humbasë leje qëndrimin në Islandë, ku jeton prej vitesh bashkë me familjen e tij, për shkak të një problemi me sistemin e gjendjes civile në Shqipëri.

Genart Cena, baba i dy fëmijëve, prej 9 ditësh nuk arrin të regjistrojë në zyrat e Gjendjes Civile në Fushë-Krujë fëmijën e tij, për shkak të problemeve që ka sistemi.

Përgjigjia që ky qytetar ka marrë nga punonjësit e Gjendjes Civile është se sistemi nuk punon, ndërsa ai përballet edhe me një rrezik: atë të humbjes së leje qëndrimit në Islandë, vend ku jeton prej vitesh.

Qytetari ka kërkuar një zgjidhje, qoftë edhe përmes një rruge alternative, por duket se nuk ka një të tillë dhe Genart Cena duhet të presë zgjidhjen e problemit të sistemit të gjendjes civile.

Problemi që ky qytetar ngre është fakti se askush nuk i jep një afat se kur mund të zgjidhë problemin e regjistrimit, ndërsa shprehet se ai rrezikon jo vetëm lejen e qëndrimit, por edhe vendin e punës, madje edhe regjistrimin e fëmijës në kopësht.

Qytetari pohon se është drejtuar pothuajse në të gjitha instancat, por pa marrë një përgjigje të saktë, përveç asaj që regjistrimin mund ta bëjë vetëm në zyrat e Gjendjes Civile në Fushë Krujë. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm pasi të rregullohet apo zgjidhet problemi teknik me sistemin…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb