Numri i emigrantëve dhe azilkërkuesve që kaluan kufirin jugor amerikan këtë vit po shënon një shifër rekord dhe Patrulla Kufitare e Shteteve të Bashkuara ka vështirësi të menaxhojë situatën. Vetëm në një sektor të Teksasit, numri i familjeve që emigruan është shtuar me 1 mijë e 200 për qind, duke detyruar autoritetet kufitare të angazhojnë personel shtesë si dhe të ndryshojnë procedurat urgjente në mënyrë që të shpëtohen jetë. Gazetarët e Zërit të Amerikës, Ramon Taylor dhe Victoria Macchi raportojnë mbi rreziqet natyrore që u kanosen atyre që kalojnë kufirin, në vitin me numrin më të madh të vdekjeve në rajon.


“Do të shfaqen. Familjet shfrytëzojnë këtë rrugë. Dalin me shpresën se një agjent kufiri i pret”, thotë Allen Vowell nga Patrulla Kufitare e sektorit Del Rio. Rritja e numrit të familjeve që emigruan përmes veriut të Rio Grandes shënon shifër rekord dhe ka shtuar presionin mbi agjentët e Patrullës Kufitare në Teksas.


Në sektorin Del Rio, agjentët kanë ngritur tenda në qytetin Eagle Pass. Disa teknikë shëndetësorë janë transferuar nga terreni nëpër qendra veprimi. Gjatë gushtit, agjencia hapi edhe një spital. “Kjo është salla e vlerësimit fillestar. Pra vijnë këtu, kontrollohen dhe ekipi mjekësor konstaton se çfarë u nevojitet, japin barna dhe shohin nëse mund t’i trajtojnë. Nëse jo i dërgojnë në objekte të tjera”, thotë Russell Church nga sektori Del Rio i Patrullës Kufitare.


Agjenti Allen Vowell thotë se sektori i tij ka arrestuar emigrantë nga më shumë se 50 vende. Shumica mbërrijnë të dehidratuar nga thatësia ekstreme dhe nxehtësia që arrin në 42 gradë Celsius. Disa të tjerë nuk shpëtojnë. Raportet e Organizatës Ndërkombëtare për Emigrim thonë se më shumë se 500 emigrantë kanë vdekur ose janë zhdukur në Amerikë gjatë vitit 2019, që krahasuar me pesë vitet e fundit, është shifra më e lartë. Gjysma e rasteve kanë ndodhur në afërsi të kufirit SHBA-Meksikë. Shkaktari kryesor është mbytja në lum.

“Rryma e lumit të çon deri në një farë distance. Pastaj janë rezervuaret ku është e vështirë të manovrohet. Në një mënyrë je në mëshirën e rrymës së ujit”, thotë Allen Vowel i patrullës amerikane. Ata që arrijnë të mbeten gjallë kujtojnë momentet e vështira. “Bija ime po qante. Uji i kishte mbërritur deri në kraharor. Më tha: nënë nuk mundem më. Pastaj ushtarët në anën tjetër na zgjatën duart”, thotë Julia azilkërkuese nga Kongoja.

Por, rreziqet e kalimit të kufirit, për shumë emigrantë dhe azilkërkues janë më të vogla sesa qëndrimi në shtëpi. “Nëse të mos bësh asgjë nënkupton të vdesësh, njeriu bën gjithçka për të shpëtuar, merr parasysh rrezikun dhe sëmundjet. Ajo që më brengos janë fëmijët e tyre. Do të rrezikoja gjithçka për ta”, thotë Marvin, emigrant nga Hondurasi./Zëri i Amerikës/