Mazhoranca nuk ka miratuar kërkesën e PD për ngritjen e një komisioni hetimor për Portin e Durrësit.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një reagim në rrjetin social “X” ka deklaruar se refuzimi i krijimit të komisionit nga ana e mazhorancës, është dëshmi e qartë se projekti nuk i shërben interesave të qytetarëve.
Bardhi shton se kjo thjeshtë sa vonon që e vërteta të dalë në pah, por nuk e ndalon dot atë.
“Përgjegjësit e kësaj afere do të mbajnë përgjegjësi të plotë, sado të përpiqen, që në kundërshtim me Kushtetutën dhe më votë politike, të refuzojnë hetimin parlamentar”, shkruan ai.
REAGIMI:
Refuzimi i mazhorancës për hetim parlamentar për aferën e Portit të Durrësit nuk është thjesht antikushtetues, por është dëshmi e qartë se projekti nuk i shërben interesave të qytetarëve, por vetëm interesave të Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe klientëve të tyre.
Një mazhorancë që ka bindjen se projekti është në interes të zhvillimit, pse ka frikë nga transparenca, pse ka frikë nga hetimi parlamentar, pse pengon ushtrimin nga opozita të të drejtës së saj për kontroll parlamentar?
Pengimi ka vetëm një qëllim: Të fsheh për pak kohë aferën korruptive të Portit të Durrësit, edhe pse ajo po del në sipërfaqe dita ditës.
E vërteta mund të pengohet të dalë plotësisht për pak kohë, siç u pengua për vite e vërteta për inceneratorët, por ajo nuk mund të pengohet përjetësisht. Përgjegjësit e kësaj afere do të mbajnë përgjegjësi të plotë, sado të përpiqen, që në kundërshtim me Kushtetutën dhe më votë politike, të refuzojnë hetimin parlamentar.
PS: Pse kërkesa nuk pranohet
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, u shpreh se Parlamenti nuk mund të krijojë një komision hetimor për të kontrolluar vetveten, pasi këtë kompetencë, sipas Kushtetutës, e ka Gjykata Kushtetuese.
“Është e njohur që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ligjshmërinë e këtyre procedurave në janar”, tha ai.
Fjala e plotë e Peleshit:
Në përgjigje të kërkesës së 35 deputetëve të opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë në procedurat e:
•Miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”;
•Shitjes së koncesionit të menaxhimit të portit kompanisë Schapha d.o.o.;
•Ndërtimit të portit të ri në Porto Romano.
Së pari, kërkesa e depozituar nga deputetët e opozitës është formuluar dhe interpretuar ndryshe nga Z. Bardhi. Në thelb, kërkesa është për kontrollin e ligjshmërisë së procedurave, ndërsa Z. Bardhi e interpretoi atë si të lidhur me efektet e zbatimit të kontratës, duke e trajtuar kërkesën si të gabuar në mënyrë të tërthortë.
Parlamenti nuk mund të ngrejë një komision hetimor për të kontrolluar vetveten, pasi këtë kompetencë, sipas Kushtetutës, e ka Gjykata Kushtetuese. Është e njohur që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ligjshmërinë e këtyre procedurave në janar.
Ngritja e komisionit hetimor në këtë rast shkel hapësirën kontrolluese të Gjykatës Kushtetuese dhe tejkalon kompetencat e Kuvendit. Ky duket si një veprim politik në prag të zgjedhjeve, për të krijuar një situatë të pavërtetë dhe të paqëndrueshme.
Gjithashtu, është fakt që procedurat e këtij projekti kanë kaluar të gjitha hapat e kontrollit parlamentar gjatë miratimit në Kuvend.
Së fundmi, periudha zgjedhore kufizon funksionimin e komisioneve hetimore, pasi Parlamenti “ngrin” gjatë kësaj kohe, duke e bërë të pamundur ngritjen dhe funksionimin e komisionit në kushtet e propozuara.
(BalkanWeb)