Vijon me debate dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës mbledhja e komisionit hetimor të TIMS. Drejtuesi i komisionit, deputeti i PD, Ervin Salianji akuzoi socialistët se duan të mbyllin punën hetimore të komisionit. Me ironi, Salianji tha se anëtarët e PS më shumë kanë qëndruar në tualet se sa në komision. “Po qëndruat shumë kohë në tualet, ngatërroni vendin dhe shfryni këtu. Këtu është vendi për të hetuar. Keni marrë gjysmën e kohës së komisionit për të shkuar në tualet. Po qëndruat gjatë në tualet bie erë kjo punë. Doni ta mbroni skandalin“, tha ai.

“Procesverbali që ju po mbani fort është një mjet për ju, por sot duhet të deklarojmë përfundimin e hetimit që ne e kemi ushtruar. Ju keni hetuar së bashku me kolegët tuaj. Le të deklarojmë përfundimin e hetimit. Hidh në votë deklarimin e përfundimit të hetimit. Mos e mbani komisionin zvarrë”, ishte reagimi i nënkryetarit të komisionit, socialistit Toni Gogu.

“Në shtator 2022 u rrëzua sistemi, e rrëzuat për të modifikuar të dhënat për njerëz në kundërshtim flagrant me ligjin. U fshi çdo sistem dhe çdo back up. Pas hetimit që ka bërë SPAK, ju e keni parë që jeni djegur nga TIMS dhe keni bërë modifik të të dhënave. Mosveprimi solli si pasojë fshirjen e çdo sistemi dhe të çdo back up-i. Ndërhyrje dhe manipulime të sistemeve… Le t’i dëgjojë publiku, është vendosur në dijeni Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ndërhyrjen në TIMS e kemi të verifikuar, e dyta qëllimet ja ku i keni që është manipuluar.

Janë vetëm dy faqe nga qindra faqe dëshmi nga drejtuesit e policisë së shtetit. Hetimin e kemi bërë ne, jo ju. Ju do bëheni palë në këtë proces duke mbrojtur njërin dhe lëshuar tjetrin, apo hetim për të shkuar deri në fund. Doni të mbyllni hetimin me forcë? Të bllokoni hetimet me forcë? Dilni dhe bëjeni, nëse nuk keni turp. Ata që kanë vjedhur kanë vendosur kapuç, ju që e bëni hapur keni vendosur fytyrën ju qofshi. Personat në kërkim shmangen sepse janë kapur drejtues të lartë të shtetit. E kalon inspektori atje dhe sistemi nuk të regjistron. Prandaj doni ta mbyllni hetimin sot. Duke shmangur kontrollin kufitar. Kjo procedurë mund të jetë përdorur edhe për persona të tjerë me rekorde kriminale që të kalojnë sistemin TIMS, keni shkatërruar sistemin, prandaj sot nuk doni raport, keni mbajtur të fshehtë procesverbalet deri sot”, tha Salianji.

Debati në mbledhjen e TIMS

Toni Gogu: Hidhe në votim, kryetar.

Ervin Salianji: ça të hedhim në votim, budallallëqet tuaja? Nuk është zbardhur procesverbali. Si ta zgjidhim këtë ngërç. As ju nuk jeni njohur me procesverbalet. Do shpërdoroni detyrën duke votuar diçka të cilën s’e keni lexuar? Ma tregoni që e keni marrë këtë procesverbal.

Toni Gogu: Ndajmë të njëjtin shqetësim për zbardhjen e procesverbalit të datës 26. është kompetencë e administratës. S’ka nevojë të mbërtheheni pas procesverbalit si një fije kashte. Shumica e të gjithë anëtarëve ka kompetencën e hetimit. ka ndodhur hetimi, është shteruar plani i planit. Kemi pyetur dëshmitarët. Procesverbali që ju po mbani fort është një mjet për ju, por sot duhet të deklarojmë përfundimin e hetimit që ne e kemi ushtruar. Ju keni hetuar së bashku me kolegët tuaj. Le të deklarojmë përfundimin e hetimit. Hidh në votë deklarimin e përfundimit të hetimit. Mos e mbani komisionin zvarrë.

Ervin Salianji: Po qëndruat shumë kohë në tualet, ngatërroni vendin dhe shfryni këtu. Këtu është vendi për të hetuar. Keni marrë gjysmën e kohës së komisionit për të shkuar në tualet. Po qëndruat gjatë në tualet bie erë kjo punë. Doni ta mbroni skandalin.

Lefter Gështenja: Kështu si po vepron PS, i bie që jemi ne fajtorët. Sikur e kemi ne përgjegjësinë për atë që ndodhur me TIMS. Në vend që të ulni kokën. Të thirren dëshmitarët, edhe përfaqësuesit e AKSHI-t në mënyrë që të kemi një proces final të përmbyllur.

Xhemal Qefalia: Ju nuk jeni të qartë për ta bërë raportin sot. Nëse e keni të qartë që ka patur ndërhyrje në TIMS, të deklarojmë të mbyllur hetimet. Ju preu meraku juaj se nuk është zbardhur procesverbali i të ftuarve? Në kuvend të shkojmë me një raport, të mbyllim këtë, të raportojmë dhe të shkojmë me një raport. Gogu me të drejtë thotë nuk kemi kohë për të humbur.

Ervin Salianji: Ju doni të digjni afatet e punimeve dhe hetimin. Nuk doni hetim deri në fund që të mos prodhojmë raport që të shkojmë në SPAK. Po i themi publikut që po bëni këtë që po bëni. T’ju bëj një pyetje: Ka ardhur zyrtari i shtetit këtu dhe e pyes unë, se ju s’kishit pyetje, për cilën arsye u hoqët nga ky pozicion. Përgjigjet Ardit Muça, drejtori i sistemeve, jam emëruar në datën 16. Janë kontradiktore dëshmitë. Ky zotëria të thotë që në datën 26 jam thirrur nga Ervin Muça, ishte drejtori, paraqitur në detyrë në datën 19 qershor, prezantuar te i gjithë stafi. Ndërsa dokumentet janë bërë në datën 27. Kush është ky njeri që bëhet drejtor pa marrë emërimin? Ku ia jep autoritetin e drejtorit? Ju s’bëni dot cirk me mua. Ervin Muça është ende drejtor sot i departamentit të teknologjisë së informacionit, e keni edhe sot, pavarësisht se i pezulluar. Thotë të gjitha të dhënat gjenden online nga viti 2022, shiten të dhënat e TIMS online thotë. Zotëria thotë jkam patur një ekip të brendshëm në drejtori që nuk ishte i aftë të kryente procese pune, janë zonja N.X, A.M dhe B.V dhe sektori i krimit kibernetik. A doni t’i thërrasim këta që t’i pyesim për akuzën që iu është bërë? A doni hetim apo cirk dhe mbrojtje? Ky thotë, për qëllime okulte me veprime dhe mosveprime kanë fshehur krimin kibernetik të ndodhur në vitin 2021. Policia dhe Ministria e Brendshme tha nuk ka patur ndërhyrje, drejtori i departamentit thotë ka patur ndërhyrje. Me memon nr. 24 13, vihet në dijeni drejtori i Policisë së Shtetit për veprimet e kundraligjshme duke ndërhyrë dhe manipuluar sistemet, kam vendosur në dijeni drejtorin e policisë që është ndërhyrë duke manipuluar sistemet. Jam në ligjshmëri, ju kërcëni sa të doni. Në Policinë e Shtetit mendojnë se e kanë çiflig punën, thotë zotëria. Në memon drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm se nuk funksionon sistemet në nëntor 2022, e kam vënë në dijeni se nuk dorëzojnë kodet, thotë ky, që në gjuhë popullore është baza e të gjithë sistemit dhe në datën 20 kam dorërguar memon tjetër për ndërhyrje të pa autorizuar në sistemin e-gate ku janë lexuar 5 numra pasaporte për favorizime personale, duke shmangur kontrollin gjatë kalimit kufitar si persona në kërkim… Personat në kërkim shmangen sepse janë kapur drejtues të lartë të shtetit. E kalon inspektori atje dhe sistemi nuk të regjistron. Prandaj doni ta mbyllni hetimin sot. Duke shmangur kontrollin kufitar. Kjo procedurë mund të jetë përdorur edhe për persona të tjerë me rekorde kriminale që të kalojnë sistemin TIMS, keni shkatërruar sistemin, prandaj sot nuk doni raport, keni mbajtur të fshehtë procesverbalet deri sot.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb