Një 55-vjecar nga Kuçova ka qenë sot në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24 për të apeluar për ndihmë pasi gjendja në të cilën ndodhet është e vështirë. Bujari u martua shumë vite më parë dhe nga ajo martesë ka 3 fëmijë. Ai thotë se prej 15 vitesh jetonin në Greqi, por gruaja e braktisi dhe me vete mori dhe vajzën. Raportet me fëmijët nga kjo martesë janë të munguara, madje njëri prej djemve nuk pranon të ketë asnjë kontakt me të.


Bujari Ne Zemer
Bujari Ne Zemer

Me ndihmën e fqinjës Bujari njohu një tjetër person dhe nga ky raport erdhi në jetë një vajzë. Kur ajo ishte 6 muajsh gruaja i tha se nuk e donte këtë fëmijë dhe donte ta linte në jetimore. E braktisi bashkëshortin e bijën ndërsa ai shkoi në gjykatë dhe mori kujdestarinë e së bijës, pasi nuk kishte ndërmend ta braktiste kurrë atë.


Kujdeset i vetëm dhe vogëlushja sapo ka mbushur 4 vjeçe, por vështirësitë janë të mëdha. Bujari thotë se banesa ku jetojnë është në gjendje të mjerueshme ndërsa ka nevojë për një pune e cila do t’i jepte mundësinë ta rriste të bijën si të gjithë fëmijët e tjerë.


“Gruaja e braktisi vajzën se thoshte se nuk kam kushte. Por nuk pranon të vijë me mua. U pendua që ngeli shtatzënë. Për vajzën më ka ndihmuar bashkia, që 6 muajsh ma kanë çuar në çerdhe. I kam shkuar kryetarit të bashkisë i kam kërkuar punë, se nuk i plotësoj dot nevojat vajzës. Unë dua një punë që të më lejojë të kujdesem edhe për vajzën”, tha Bujari.

Kujdesin për të bijën dhe problemet ekonomike i konfirmoi dhe një fqinje e tij. “Ato që thotë Bujari janë të vërteta. Ai është dhe nënë dhe baba. Atë nënë nuk e kuptoj, si nuk ka 10 mijë lekë për vajzën. Bujari e çon ta takojë, ai çon në spital e kudo. Mendoj se atë nuk e lë çuni që të rrijë me Bujarin e të kujdeset për vajzën”, tha një fqinje.

“Unë edhe tek plehrat do vete, një punë në komunale, ose në lulishte. Do pranoja dhe roje por vetëm që të kisha orarin që të mund të rrija me vajzën se jam dhe nënë dhe baba”, tha Bujari.

(m.k/BalkanWeb)