Në vendet e Bashkimit Evropian (BE), shuma mesatare e paguar për 100 kilovat orë energji elektrike në banesa në gjysmën e parë të këtij viti është rritur në 28,9 euro, transmeton Anadolu.

Zyra Evropiane e Statistikës (Eurostat) publikoi të dhëna për çmimet e energjisë elektrike dhe gazit natyror të konsumuar në vendet anëtare të BE-së në gjysmën e parë të vitit 2024.

Sipas të dhënave, përderisa për 100 kilovat orë energji elektrike në vendet e BE-së në gjysmën e parë të vitit 2023 janë paguar 28,3 euro, në gjysmën e parë të viti 2024 kjo shifër është rritur në 28,9 euro.

Energjinë elektrike më të shtrenjtë në vendet anëtare e paguajnë qytetarët e Gjermanisë me 39,5 euro, ndjekur nga Irlanda me 37,4 euro, Danimarka me 37,1 euro, Çekia me 33,8 euro, Belgjika me 33,5 euri dhe Italia me 32,7 euro.

Vendet e BE-së me çmimin më të ulët të energjisë elektrike janë Hungaria me 10,9 euro, Bullgaria me 11,9 euro dhe Malta me 12,6 euro.

Nga ana tjetër, në gjysmën e parë të këtij viti, çmimi mesatar i paguar për çdo 100 kilovat orë gaz natyror të përdorur në banesa në vendet e BE-së është llogaritur si 11 euro. Çmimi në fjalë ishte 11,9 euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndër vendet e BE-së, pagesa më e lartë për gazin natyror të konsumuar në banesa gjatë kësaj periudhe është bërë në Suedi me 17,6 euro për 100 kilovat-orë, në Holandë me 16,3 euro, në Austri me 13,8 euro dhe në Irlandë me 12,7 euro.

Gjatë kësaj periudhe, çmimi më i ulët për 100 kilovat orë gaz natyror nga vendet anëtare të BE-së është përcaktuar në Hungari me 2,8 euro, në Kroaci me 4,5 euro dhe në Rumani me 5,8 euro.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: