Kërkesat për arsim profesional po rriten dita-ditës për të gjithë ata që nuk kanë mundur të gjejnë veten në tregun e punës. Deri në fund të muajit gusht, plot 2400 persona janë regjistruar pranë Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional Publik nr. 1 në kryeqytet. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, drejtoresha e këtij institucioni, Hanëme Mata tregon mbi llojet e kurseve që ofrohen nga kjo qendër e më tej bën me dije se numri i të interesuarve është në rritje çdo ditë e më shumë. Hidraulik, elektrikë, sistem ngrohës-ftohës, elektroaut apo teknik ashensori janë ndër degët më të preferuara, çka kërkohen së tepërmi edhe në tregun e punës. Ajo shton se të gjithë personat që marrin një certifikatë pas përfundimit të kursit profesional, do të adresohen në tregun e punës, pasi institucioni ka lidhur një sërë marrëveshjesh me biznese të ndryshme, që operojnë në tregun vendës. Mata bën me dije se në bazë të kurrikulës, edhe kohëzgjatja e kurseve ndryshon duke filluar nga 2 muaj deri në 5 muaj.

Sa është numri i aplikimeve dhe regjistrimeve në Qendrën e Formimit Profesional nr. 1 në kryeqytet, krahasuar me një vit më parë?
Deri në fund të muajit gusht janë regjistruar 2400 persona, nga të cilët 1200 janë punëkërkues të papunë dhe pjesa tjetër janë ose të punësuar, ose persona sezonalë që ende nuk kanë gjetur veten e vijnë me synim të marrin një profesion, sepse nuk zotërojnë një profesion të mirëfilltë, por janë punësuar diku. Normalisht që kategoria e dytë që janë të punësuar dhe ndjekin kurse profesionale te ne, paguajnë një tarifë tepër modeste nga 3-5 mijë lekë të reja. Ndërkohë punëkërkuesit e papunë duhet të marrin një vërtetim te Zyra e Punës dhe mund të vijnë të realizojnë kurse falas (pa asnjë pagesë) në qendër.

Pas përfundimit të kursit, si adresohen personat e certifikuar në tregun e punës?
Të gjithë personat që marrin një certifikatë pas përfundimit të kursit profesional, do të adresohen në tregun e punës. Ne kemi realizuar marrëveshje me të gjitha bizneset dhe OJQ-të që operojnë në tregun shqiptar. Tashmë bizneset vijnë vetë pranë institucionit tonë dhe kërkojnë punonjës të certifikuar. Ne ndërtojmë praktika profesionale pranë këtyre bizneseve në një formë të një sistemi dual në mënyrë të atillë që personi të vlerësohet nga afër nga biznesi në momentin që punon për të, e më tej mund të rekrutohet për t’u punësuar. Kjo ndihmon shumë në integrimin dhe punësimin e këtyre shtresave. Është për t’u vlerësuar edhe projekti ‘Start Smart’, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, që konsiston në trajnimin e personave në mënyrë që ata të dinë të adresohen në tregun e punës, të dinë të bëjnë një CV, të gjejnë veten dhe të mësojnë si të përgatiten në një intervistë pune.

Cilat janë profesionet që kërkohen më së shumti nga bizneset?
Pothuajse çdo ditë kemi kërkesa nga biznese të ndryshme për hidraulikë, për rrobaqepësi, estetikë, dizajn, parukeri. Këto kompani kërkojnë njerëz profesionistë për t’i punësuar dhe mënyra më e mirë për t’i gjetur është pranë qendrës sonë. Rritja ekonomike kërkon njerëz të formuar, njerëz me arsim profesional. E gjithë politika e qeverisë shqiptare gjatë këtyre pesë viteve ka qenë e fokusuar tek arsimi profesional dhe ka dhënë rezultatin e vet e ka ndikuar pozitivisht në tregun e punës dhe në uljen e numrit të të papunëve. Vlen të theksoj se Qendra e Formimit Profesional nr. 1 në kryeqytet ka hapur disa kurse të reja si ai i kuzhinës, teknik rrjeti, pastiçeri etj.

Po vetë aplikantët, cilat kurse kërkojnë më së shumti?
Të gjithë personat e interesuar mund të kryejnë kurse profesionale pranë Qendrës së Formimit Profesional duke filluar nga mosha 16-60 vjeç. Tashmë njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe e kuptojnë se pa një profesion është e vështirë të gjejnë vetveten në tregun e punës. Degët më të kërkuara nga kursantët janë për hidraulik, elektricist, sisteme ngrohje, mekanik, parukeri, estetikë, kuzhine. Gjithashtu, nëse shikojmë që një kurs nuk kërkohet në tregun e punës, zëvendësohet me një tjetër më efiçent.

A keni menduar të hapni një tjetër kurs profesional?
Po, kemi menduar të hapim kursin për shërbimin në familje, pasi janë shtuar shumë kërkesat nga kompani të ndryshme që çojnë punonjëse nëpër familje (por punonjëse të patrajnuara). Aktualisht kemi bërë një kurrikul për t’i mirëpërgatitur kursantët për tregun e punës.

Sa është kohëzgjatja e kurseve?
Në bazë të kurrikulës, edhe kohëzgjatja e kurseve ndryshon duke filluar nga 2 muaj deri në 5 muaj. Ne punojmë për të gjithë Shqipërinë, pasi edhe gama e kurseve që ofrojmë është e gjerë.

A ka kërkesa edhe nga qytete të tjera për të marrë një formim profesional pranë DRFPP nr. 1 në kryeqytet?
Kemi pasur kërkesa nga e gjithë Shqipëria, duke filluar nga Hasi, Kukësi, Tropoja etj. Në qendër drejtohen punëkërkues të papunë me vërtetim nga Zyra e Punës që kanë ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit, e kanë bërë kurse falas në këtë qendër. Ndërkohë, të tjerë po nga rrethet kanë ndjekur një prej kurseve tona kundrejt një tarife tejet modeste. Pjesa më e madhe e kursantëve tanë që vijnë nga rrethet, janë sistemuar në Tiranë duke shfrytëzuar mundësitë.

A janë të mjaftueshme fondet për bazën materiale dhe mbarëvajtjen e orëve mësimore për kurset profesionale?
Ne kemi pasur një mbështetje edhe nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, ku kemi pasur një rritje të fondeve për bazën materiale, e cila ndikon pozitivisht në mënyrë që cilësia e mësimdhënies të jetë sa më e mirë. Fondi sivjet ka qenë 8 milionë lekë të reja, i cili është në dispozicion për mbarëvajtjen e të gjitha kurseve profesionale që ofrohen në institucionin tonë.

Cilat janë kurrikulat që përdoren gjatë mësimdhënies?
Për të rritur sa më shumë efiçencën në qendrat e formimit profesional duhet të sjellim një metodologji të re. Kështu, kurrikulat në Qendrat e Formimit Profesional po rinovohen, po unifikohen duke qenë në koherencë me tregun e punës dhe kjo është bërë me mbështetjen e Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe Agjencisë Kombëtare të Kurrikulave. Dihet që koha avancon dhe duhet të operohet në përshtatje me teknologjinë e re. Gjithashtu dua të vë në dukje se stafi ynë i mësuesve është shumë i përgatitur dhe përpiqet të bëjë një kombinim të teorisë me praktikën, në mënyrë që kursantët të marrin sa më shumë njohuri. Detyra jonë kryesore si formim profesional është të përgatisim produktin për tregun e punës, aftësimi i punëkërkuesve të papunë dhe ndryshimi i jetës sociale të gjithsecilit me integrimin e tyre në punë. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb