Drejtoria e Pergjithshme e Doganave ka rregjistruar rritje të të ardhurave nga mbledhja e rentës minerare në fund të vitit 2018. Sipas të dhënave zyrtare nga Dogana, gjatë vitit 2018 u mblodhën mbi 2.6 miliardë lekë të ardhura nga renta minerare nga mallrat e eksportuara jashtë Shqipërisë. Shifra ka shënuar rritje me afro 12% kundrejt një viti më parë, kur totali i rentës arriti në 2.3 miliardë lekë. Shkaku kryesor i rritjes së të ardhurave nga renta minerare është rritja e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, pasi është pikërisht ky produkt që gjeneron edhe të ardhurat më të shumta të kësaj takse.

Bankers Petroleum Albania është kompania që vijon të dominojë këtë taksë duke zënë rreth 80% të totalit të ardhurave nga renta minerare përgjatë vitit 2018. Burime zyrtare nga kompania kanë konfirmuar se gjatë vitit 2018 kompania ka paguar rreth 2 miliardë  lekë rentë minerare në eksport ndërkohë që rreth 600 milione lekë janë derdhur në tatime si rentë minerare për naftën e shitur brenda vendit.

Përgjatë vitit të kaluar Bankers ka paguar në total mbi 5.5 miliardë taksa për qeverinë qendrore dhe pushtetin lokal. Pjesa më e madhe janë pagesa për rentën minerare duke përfshirë edhe derdhjen e prodhimit para-ekzistues tek kompania shtetërore e naftës Albpetrol.

Burime zyrtare të kompanisë konfirmojnë se një rritjë të pandalshme po rregjistrojnë vit pas vit taksat që shkojnë për pushtetet lokale ku ajo ushtron aktivitet. Gjatë vitit të kaluar u paguan mbi 245 milionë lekë taksa për pushtetin lokal me një rritje të ndjeshme, prej 70% kundrejt vitit 2017.

Në total, që prej fillimit të aktivitetit të saj në Shqipëri në vitin 2004, kompania Bankers e cila tashmë është nën pronësinë kineze, ka paguar një total prej 77 miliardë lekë në taksa dhe tatime.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb