TIRANË- Banka e Shqipërisë pohon se është rritur interesi i konsumatorëve për blerjet elektronike. Sipas BSH-së, në fund të shtatorit 2014, sistemi bankar zotëronte mbi 6300 pika elektronike të shitjes, të instaluara në njësi tregtare në të gjithë vendin.

Që nga fillimi i vitit, numri i terminaleve të shitjes POS është rritur me mbi 11%. Këto pika elektronike mundësojnë kryerjen e pagesave me kartë bankare, pa qenë nevoja për të përdorur para cash.

Janë afro 900 mijë karta bankare përmes të cilave shqiptarët mund të kryejnë blerje direkt, nga të cilat 74 mijë janë karta krediti. Pagesat automatike mundësojnë reduktimin e kostove dhe rreziqeve nga përdorimi i parasë fizike në qarkullim. Paratë kalojnë nga llogaria e blerësit te ajo e shitësit pa dalë nga sistemi bankar.

Sipas studimeve të kryera nga shoqata më e rëndësishme globale e pagesave, VISA, kalimi nga pagesat cash në ato elektronike mund të sjellë një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto të një vendi nga 0.6% në 1.6%.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb