Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Rritet masa e kontributeve të sigurimeve shoqërore që funksionarët e lartë të shtetit duhet të paguajnë në fondin e sigurimit shtetëror suplementar. Ndryshimi përcaktohet në projektligjin “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, i cili u miratua para 3 ditësh në qeveri. Sipas tij, personat që i përkasin grupit të parë (ndarja e funksioneve në grupe ndodhet në tabelën bashkëngjitur shkrimit) do të paguajnë 5 për qind të shumës bruto të listëpagesave, nga 4% që paguajnë me ligjin aktual. Personat e grupit të dytë, që përmenden në gërmat, “a”, “b” dhe “c” do të paguajnë 4 për qind të shumës bruto të listëpagesave, nga 3 që paguanin aktualisht, ndërkohë që ata persona që përmenden në pikën “d” të grupit të dytë do të paguajnë 3%, nga 2 për qind të shumësh bruto të listëpagesave që paguanin deri më tani.
Kriteret
Projektligji parashikon dhe një sërë ndryshimesh në kriteret që duhet të plotësohen për të përfituar pension shtetëror suplementar. Kështu, për “grupin e parë”, përfituesit duhet të kenë mbushur moshën 60 vjeç nga 55 vjeç që ishte aktualisht, ndërkohë që duke filluar nga data 1.1.2032, mosha e përfitimit rritet me nga 6 muaj për çdo vit, deri në arritjen e moshës 63 vjeç. Sipas përllogaritjeve, mosha 63 vjeç për të përfituar pension shtetëror suplementar do të arrihet në vitin 2037. Po ashtu, përfituesit duhet të kenë periudha të njohura shërbimi në një nga funksionet e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 8, (shih tabelën) si dhe të kenë ndërprerë veprimtarinë ekono-mike. Ndërkohë që, sa i takon grupit të dytë bie në sy fakti i vendosjes së kriterit prej 35 vitesh punë një nga funksionet shtetërore të përmendura në ligj. Deri më tani kriteri “35 vite” nuk ekzistonte, ndërsa përfituesit mjaftonte që të kishin kryer 35 vjet shërbimi në detyrë. Ndërkaq, sa i takon të drejtave të fituara deri në datën 31.12.2014, projektligji përcakton se “personat, që kanë fituar të drejtën për pension shtetëror suplementar në moshën 55 vjeç e lart, do të vazhdojnë të paguhen pavarësisht se nuk e kanë arritur moshën e përcaktuar në këtë ligj”. Ndërkohë që, personat, që janë trajtuar me pension shtetëror suplementar dhe e kanë ndërprerë atë për arsye punësimi, kanë të drejtën e rikthimit në skemën e pensioneve suplementare edhe përpara moshës 60 vjeç.
PROJEKTLIGJI “PËR PENSIONET SHTETËRORE SUPLEMENTARE TË PERSONAVE QË KRYEJNË FUNKSIONE
KUSHTETUESE DHE TË PUNONJËSVE TË SHTETIT”
Ndarja e funksioneve në kategori
Pika 8. Në termin “grupi i parë” do të përfshihen:
a) Presidenti i Republikës, kryetari i Kuvendit, kryetari i Këshillit të Ministrave, zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, ministrat, zëvendëskryetari i Kuvendit dhe të barazuar me ligj me ta, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm dhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
b) Deputetët e Kuvendit, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, si dhe Avokati i Popullit, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Pika 9. Në termin “grupi i dytë” do të përfshihen:
a) Sekretarët e Shtetit, zëvendësministrat, zëvendësprokurorët e përgjithshëm, si dhe personat e tjerë të barazuar me ta, sekretarët e përgjithshëm dhe funksionarët politikë pranë Presidentit, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, ministrive, institucioneve qendrore buxhetore, prefekturave, këshillave të rretheve, këshillave të qarqeve bashkive dhe personave të tjerë të barazuar me ta, sipas listës së miratuar nga Këshilli i Ministrave. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit dhe Kryetari i Arbitrazhit të Lartë Shtetëror.
b) Personat që kryejnë detyra në administratën e Presidentit, të Kuvendit, Këshillit të Ministrave, ministrive dhe institucioneve qendrore buxhetore, të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, gjykatave të Apelit, prokurorive të rretheve, prefekturave dhe të pushtetit vendor dhe personave të tjerë të barazuar me ta, sipas listës së miratuar nga Këshilli i Ministrave.
c) Personeli drejtues ku do të përfshihen: Drejtorët e drejtorive, përgjegjësit e sektorëve, si dhe personat e tjerë të barazuar me ta, në funksion dhe personat të cilët punojnë në organet drejtuese të pushtetit vendor dhe në funksione të tjera drejtuese, sipas listës së miratuar nga Këshilli i Ministrave.
d) Personeli specialist ku do të përfshihen specialistët dhe personat e tjerë të barazuar me ta në funksion dhe sipas përcaktimeve të Këshillit të Ministrave.
KONTRIBUTET
Kontributet, që paguajnë personat e punësuar në fondin e sigurimit shtetëror suplementar, janë:
ISHTE: a) 4 për qind të shumës bruto të listëpagesave për personat e grupit të parë; BËHET: a) 5 për qind të shumës bruto të listëpagesave për personat e grupit të parë;
ISHTE: b) 3 për qind të shumës bruto të listëpagesave për personat e grupit të dytë, që përmenden në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 9 të nenit 1 të këtij ligji; BËHET: b) 4 për qind të shumës bruto të listëpagesave për personat e grupit të dytë, që përmenden në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 9, të nenit 1, të këtij ligji; ISHTE: c) 2 për qind të shumës bruto të listëpagesave për personat e grupit të dytë, që përmenden në shkronjën “d” të pikës 9 të nenit 1 të këtij ligji.
BËHET: c) 3 për qind të shumës bruto të listëpagesave për personat e grupit të dytë, që përmenden në shkronjën “d”, të pikës 9, të nenit 1, të këtij ligji.”.
KUSHTET E PËRFITIMIT
Kushtet e përfitimit për “grupin e parë” ISHTE: Pas mbushjes së moshës 55 vjeç ose para kësaj moshe, kur deklarohet invalid i plotë sipas ligjit për sigurimet shoqërore. BËHET: Të kenë mbushur moshën 60 vjeç ose para kësaj moshe, kur deklarohet invalid i plotë, sipas ligjit për sigurimet shoqërore të detyrueshme. Duke filluar nga data 1.1.2032, mosha e
përfitimit rritet me nga 6 muaj për çdo vit, deri në arritjen e moshës 63 vjeç. ISHTE: Të kenë kryer jo më pak se a) për personat e shkronjës “a” të nenit 1, pika 8, 1 vit e gjysmë shërbim në funksion me përjashtim të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetarit të Këshillit të Ministrave, zëvendëskryetarët e Kuvendit. b) për personat e shkronjës “b” të nenit 1, pika 8, 2 vjet shërbim në funksion. BËHET: Të kenë periudha të njohura shërbimi në një nga funksionet e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 8, të nenit 1. ISHTE: Personat, të cilët nuk plotësojnë periudhën e shërbimit të parashikuar në pikën 2 të këtij neni, përfitojnë pension suplementar të reduktuar, në raport me periudhën e shërbimit në funksion apo në detyrë. Personat, të cilët plotësojnë njërin nga kushtet e mësipërme, duhet të kenë ndërprerë veprimtarinë ekonomike. BËHET: Të ketë ndërprerë veprimtarinë ekonomike. Kushtet e përfitimit për “grupin e dytë” ISHTE: a) kanë kryer 35 vjet shërbimi në detyrë ose b) pas arritjes së moshës për pension të plotë pleqërie ose para kësaj moshe, kur deklarohet invalid i plotë, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë. Personat, të cilët plotësojnë njërin nga kushtet e mësipërme, duhet të kenë ndërprerë veprimtarinë ekonomike. BËHET: a) Të kenë kryer 35 vite shërbimi në detyrat ose funksionet e parashikuara nga ky ligj; ose b) Të kenë arritur moshën për pension pleqërie, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; ose c) Para kësaj moshe, kur deklarohet invalid i plotë, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Personat, të cilët plotësojnë njërin nga kushtet e sipërpërmendura, duhet të kenë ndërprerë veprimtarinë ekonomike.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: