TIRANË- Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime në vendimin “Për statusin “Dëshmor i Atdheut”, të ndryshuar, që përcakton procedurën që duhet ndjekur për dhënien e këtij statusi, si dhe trajtimin financiar për familjarët e dëshmorëve. Ky ndryshim konsiston në rregullimin e masës së trajtimit financiar për familjarët e dëshmorëve të atdheut, numrin e të trajtuarve, si dhe përmirësimin dhe lehtësimin e procedurës për përfitimin e këtij statusi.

Më konkretisht, qeveria vendosi rritjen e trajtimit financiar mujor të familjarëve të dëshmorëve të atdheut nga 5.000 (pesë mijë) lekë në 7.000 (shtatë mijë) lekë, bazuar në kërkesat e vazhdueshme që kanë ardhur në adresë së Ministrisë së Mbrojtjes nga familjarët dhe nga organizatat e ndryshme të Dëshmorëve të Atdheut. Nga ky vendim përfitojnë 359 familjarë të dëshmorëve, me një shumë prej 30.156.000 lekësh.

Këshilli i Ministrave bëri gjithashtu rregullime për përbërjen e Komisionit Qendror për dhënien e statusit “Dëshmor i Atdheut” dhe në përmirësimin e rregullave për mbledhjen dhe funksionimin e tij, ku është shtuar detyrimi i Komisionit Qendror që përveç emrit të familjarit që përfiton trajtimin financiar të dërgojë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore edhe një kopje origjinale të vendimit të marrë për dhënien e statusit “Dëshmor i Atdheut”.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb