Defektet e lindura paraqesin një problem të rëndësishëm shëndetësor në mbarë botën, në një kohë që numri i bebeve të lindura me anomali në Shqipëri është në rritje. Në kuadër të parandalimit dhe trajtimit të këtyre problematikave, Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë organizoi konferencën “Sëmundjet e lindura dhe kujdesi shëndetësor për pacientët”.

Mjekë, infermierë dhe specialistë të tjerë të fushës u bënë bashkë e diskutuan mbi mënyrat e parandalimit të defekteve të lindura, në një kohë që kërkuan nga institucionet përgjegjëse qendra trajtimi të posaçme dhe trajnim afatgjatë i specializuar për një staf të kualifikuar.

Në mbi 45 sëmundje të lindura, më të shpeshtat që hasin punonjësit e shëndetësisë janë fibrozat kistike dhe hipertiroidizmi kongenital. Një tjetër problematikë e ngritur gjatë konferencës është rritja e numrit të vdekjeve si pasojë e defekteve të lindura.

Infermieri Elson Jaçaj dhe mamia Marinela Sema pohojnë se çiftet e reja shqiptare nuk kanë informacionin e nevojshëm mbi sëmundjet e lindura. Teknikja e Laboratorit Leandra Kolgjini këshillon prindërit e rinj që të kryejnë ekzaminimet laboratorike neonatale apo prenatale.

Përveç mungesës së specialistëve, largimi nga Shqipëria i punonjësve të shëndetësisë e rëndon edhe më tej situatën për trajtimin e anomalive në lindje. Kreu i Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë Elson Jaçaj thekson se prej janarit të 2019-ës e deri më tani janë larguar plot 2500 infermierë, ndërsa pritet që deri në fund të dhjetorit, numri i infermierëve të larguar të arrijë në 7 mijë në total. Pagat e ulëta, mos vlerësimi dhe mos gjetja e një vendi pune po i detyrojnë bluzat e bardha të largohen çdo ditë e më shumë, veçanërisht drejt Gjermanisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb