Rritja e çmimit të qirave të apartamenteve, kryesisht në Tiranë, është kthyer në një problem shqetësues.

Kjo problematikë më së shumti prek studentët, të cilët duke mos qenë të punësuar në kohën që kryejnë edhe studimet, e kanë edhe më të vështirë përballimin e një kostoje të tillë shtesë, sado të jetë mbështetja nga familjarët e tyre.

Klevi Çollari, agjent imobiliar, i ftuar në Vila24 ka deklaruar se çmimi mesatar i apartamenteve me qira në Tiranë është rritur krahasuar me një vit më parë, duke shpjeguar se zonat më të shtrenjta në kryeqytet janë Blloku deri tek liqeni Artificial dhe rezidencat e reja në dalje të Tiranës.

“Çmimet e qirave janë rritur dhe vijojnë të rriten. Edhe statistikat tregojnë se kemi një rritje jo vetëm të çmimeve, por edhe të kërkesave. Kjo krijon një rreth vicioz. Ka shumë arsye për rritjen e çmimeve, para është që moshat e reja po lënë qytetet e vogla dhe po zhvendosen në Tiranë, pra ka një kërkesë të shtuar për apartamente me qira.

E dyta është se ka shumë biznese që stacionohen në Tiranë, kryesisht kompani të reja në fushën e dixhitalizimit dhe komunikacioni. Pra arsyeja e dytë është përdorimi i apartamenteve për biznese dhe zyra.

Nga statistika e kompanisë tonë, çmimi mesatar i qirave për një vit më parë ka qenë 360-380 euro.
Këtë vit jemi me 400 euro si çmimin mesatar të apartamenteve. Duke marrë parasysh se kemi edhe tre muaj përpara deri në mbylljen e vitit dhe kur kjo periudhë pra shtatori është muaji që mbyllen rreth 40 përqind e kontratave të qirave, kjo tregon se çmimi mesatar mund të jetë edhe më i lartë deri në fund të 2022”, ka deklaruar ai.

Gevio Tabaku, drejtues i Bordit të Studentëve ka shpjeguar se zonat ku studentët zgjedhin të vendoset, duke pasur parasysh që qiratë pranë fakulteteve janë në përgjithësi goxha të larta, janë zona të tillë si Fresku apo Astiri që janë lag, por qiraja është më e ulët dhe më e përballueshme për buxhetin e tyre.

“Zakonisht zgjedhin Astirin dhe Freskun, pra Unazën e Re si zona për të jetuar. Edhe atje, detyrohen të ndajnë qiranë me 2 ose 3 persona të tjerë në mënyrë që të përballojnë çmimet e larta.
Edhe në Astir për shembull është shumë e vështirë që të gjesh shtëpi nën 300 euro”, ka deklaruar ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb