Nga ASTRIT KOSTURI*

Kur populli vuante bëmat eregjimit primitiv e familjar të Berishës, shkatërrimin barbar dhe plaçkitjen e vendit, kasta politike e PS-së studionte shkollat e djallit dhe vështronte e ngazëllyer keqësimin e situatës dhe mjerimin e njerëzve. Asaj i interesonte, që “gogoli” të bëhej sa më i urryer për masat e gjëra të popullit (kështu sugjeronin njohësit e teorisë së përbindëshave), sepse kështu pushteti do të kalonte më lehtë në krahun e radhës. Dhe radha erdhi sërish për uzurpatorët “socialistë”, por jo për socialistët!… Populli priti shumë nga ato që u thanë e u dëgjuan gjatë fushatës “moderne” e të zhurmshme të 23 qershorit 2013, priti sa durimi u sos, ndërsa pjesa e shëndetshme e ndërgjegjes kombëtare e dinte shumë mirë se fjalët e sloganet ishin thjeshtë premtime, se grupi i të rinjve i të ashtuquajturës PS kishin zëvendësuar xhaketat e vjetra, duke dalë prej mëngëve të tyre. Ku më kryesorja nuk ishin programet dhe idetë që ndriçonin vegjëlinë, por përbërja dhe ndërtimi i tyre nuk ishte i tillë, por vetëm për qëllime e interesa private sundimi e pasurimi, me oligarkët vendas e të huaj. Kjo doli sheshit menjëherë pas zgjedhjeve. Në poste ministrore e kyçe për ekonominë e vendit erdhën llafollogët dhe besnikët e Ramës, njeriut ëndërrimtar për famë dhe emër, ata që nuk kanë as eksperiencën më minimale për drejtimin e punëve të mëdha dhe zgjidhjen e problemeve madhore që kalon vendi dhe shqiptarët brenda e jashtë tij, në emigracion. Erdhën hileqarët dhe të “padukshmit” e djeshëm, që do të dinin të vazhdonin lojën e “gogolit” të radhës. Këta ia nisën përsëri nga zeroja, nga “teoria e frikës”, duke na treguar gropat financiare të lëna nga regjimi i Berishës, anarshinë urbane, institucionale e ligjore, sikur të mos kishin qenë kurrë në pushtet dhe të mos kishin asnjë lloj përgjegjësie si opozitë e atëhershme, si njëra nga shtyllat më të rëndësishme të pushtetit në demokraci. Kësaj radhe duhej bërë Rama gogol dhe përbindësh, që paradoksalisht humbësi dhe mëkatari 24-vjeçar i vuajtjeve të një populli të tërë, bashkë me të tijtë, të na dalin si shpëtimtarë e triumfatorë të pushtetit të radhës. Dhe popullin të thirrur tashmë “elektorat”, që prej më shumë se dy dekadash askush nuk e llogarit, përpiqen ta turmëzojnë e ta mbajnë si tufë delesh, për të shkuar pas “kripës” që u tregon djali i çobanit plak. Natyrshëm ndaj opozitës së sotme zyrtare lind pyetja: Ku ishit ju, të blu-rosurit deri dje, që sot ulërini për protesta, demonstrata e kundërshtime…?! Nga ana tjetër, duke i dëgjuar ato sherret e sherrnajat tuaja, ju dilni fajtorë teksa akuzoni njëri-tjetrin, apo jepni ato “argumente”, që realisht shkojnë kundër jush! Megjithatë, nëse nuk jeni fajtorë (edhe pse jemi të bindur se jeni të tillë), a nuk keni përgjegjësi për gjithë këtë shkatërrim e regres material, moral e intelektual, historik e shpirtëror, që u sollët shqiptarëve? Pra, të dyja bashkë (PS e PD), por edhe LSI e parti të tjera të pushtetit kanë treguar në gjithë këto vite, se kanë të njëjtin vullnet e moral, se kanë ndjekur të njëjtë vijë dhe kanë të njëjtin usta. Morali i tyre është i kalbur dhe nuk mundet më të drejtojë shoqërinë shqiptare, përderisa e ashtuquajtura klasë politike gjendet tashmë nën peshën e kërcënimit, shantazhimit dhe inkriminimit të saj shumëplanësh. Ajo nuk mund ta ndëshkojë veten dhe nuk mundet të dalë prej baltovinës, ku e ka zhytur veten prej vitesh, veçse prej reagimit të organizuar dhe politik të popullit. Kjo është situata reale, që po e risjell në vëmendjen e atyre që kanë vesh të dëgjojnë dhe vetëdijen e pastër e të shëndetshme, pavarësisht se klika qeverisëse, një tufë tjetër servilësh e lajkatarësh (njëlloj si të mëparshmit), ndjek kryeministrin delirant, si të ishte çudibërësi për njerëzit, që presin mrekullitë e tij. Politika si gjithnjë në këto 24 vjet kërkon të dalë pa u lagur, madje të dalë edhe më fitimtare, sepse po bën “shtetin ligjor” në thonjëza, përderisa popullin e çon në burg, kurse politikanët dhe zyrtarët e lartë të këtij vendi mbeten në rolin e Ponc Pilatit, të paprekshëm prej 24 vjetësh! Edhe në kuptimin semantik të fjalëve, politika ka armë padrejtësinë, duke treguar si padashje, se padrejtësia ka hyrë vjedhurazi në çdo qelizë të jetës tonë politike e social-ekonomike…! Të varfërit teksa bëjnë shkelje ligjore apo vjedhin ndonjë copë dru në pyll, kur nuk paguajnë energjinë elektrike apo bëjnë ndonjë “punë të zezë”, quhen hajdutë dhe futen në burg, ndërsa politikanët që për 24 vjet me radhë shkatërruan e grabitën ekonominë shqiptare (pasurinë, floririn dhe vlerat monetare), hidrocentralet e fondet publike, apo bëjnë ligje korruptive për veten e tyre, ia lënë fajin sistemit dhe korrupsionit. Pra, politikanët dhe zyrtarët e lartë, që në gjithë këto vite të mbas ’90-s kanë menduar vetëm çfarë mund të marrin e grabisin nga djersa e popullit, janë të korruptuarit, pavarësisht se po fajësojnë popullin për antishtetin, që vetë ndërtuan. Ata (politikanët) mbeten Zeusi dhe rrufetë duhet të shkarkohen poshtë, të bien mbi popull, ndërsa zhurma nuk ka gjë se mbetet lartë në oborret e tyre, në dyert e drejtësisë dhe ekranet e televizioneve. Pra, deri tani përgjegjësit dhe fajtorët e këtij gjenocidi me përmasa biblike mbeten të pandëshkueshëm dhe na shfaqen si engjëj të zhurmshëm, madje dhe kurajozë për të folur me tone të larta, edhe kundër korrupsionit. Pa pikë turpi, të parët (varfanjakët) kërcënohen me burg dhe kështu mbahet premtimi i politikanëve për t’i çuar mbrapa hekurave në emër të luftës për të bërë shtet, ndërsa korrupsioni i politikanëve dhe i zyrtarëve të shtetit shqiptar bëhet një mur i lartë i paprekshëm. Më 23 qershor populli u bë masivisht bashkë për të rrëzuar regjimin kriminal e plaçkitës të Berishës, por edhe ndëshkimin penal të oligarkisë blu, si dhe sekuestrimin e pasurive abuzive të tyre. Kjo votë ishte e lexueshme, por kjo nuk ndodhi dhe nuk kishte si të ndodhte, përderisa oligarkët e rinj ishin dhe janë bashkëpunëtorët e të vjetërve. Të vuajtur prej mungesës së shtetit dhe më shumë prej abuzivizmit e arbitraritetit të tij, njerëzit e mirëpresin shtetin ligjor, pa e ditur ndoshta, se në kushtet e një demokracie kaq të deformuar, ky shtet bëhet instrument i një fashizmi të ri! Pushtetarët e dinë këtë dhe mbahen fort pas kësaj mjeshtërie, por duke besuar te fuqia e popullit, te mençuria e racionaliteti i tij mistik, them se më 23 qershor bëri zgjedhjen e duhur, por përsëri i duhet të largojë nga skena politika edhe PS-në, LSI-në, etj. parti parazite, ashtu siç ndëshkoi dhe i nxori kallajin PD-së. LDSH (Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve) u bën thirrje shqiptarëve të bashkohen me bindje dhe koncepte të qarta, duke iu larguar populizmit të sëmurë, shout mediatik dhe pazareve “politike”! Kjo thirrje vjen në kushtet aktuale, kur pushteti (pozita e opozita) po ngrenë dhe duan të fuqizojnë një “Shtet Ligjor”, si shpëtim dhe emergjencë gjoja për popullin, qytetarin. Kush nuk do ta dëshironte shtetin në këtë gjendje anarshie e pasigurie, por i kujt është ky instrument, në duart e kujt pushteti…?! Në duart e Popullit…?! Të thuash, se ky shtet është i popullit, kjo është një shaka ose gënjeshtra më e madhe, në këto kushte kur demokracia shqiptare është tmerrësisht e deformuar! Duhet të kuptojmë tashmë, se pas këtyre 24 viteve të “demokracisë”, populli shqiptar është ndarë në “Ata” (krerët e pozitë-opozitës) që i shohim vetëm në televizor, dhe në “Ne”, që provojmë e vuajmë harresën, shpërfilljen, dhunën fizike e psikologjike, mjerimin dhe vuajtjen e pa përmasë. “Ata” janë një pakicë fare e vogël e rrethuar me ushtarë e sejmenë, ndërsa “Ne” jemi shumica e zhytur në mosmarrëveshje e hatërmbetje, papunësi e ngërç…! E gjitha kjo erdhi hap pas hapi, që nga ’90-a deri në këto kohët e fundit të koduara me emrat “shtet ligjor”, “burg”, “skuadër”, “aksion” e “operacion”. Pra, pasi e lanë popullin shqiptar në anarshi dhe në duart e krimit për 24 vjet me radhë, tani po na thonë se po vendosin shtetin ligjor, d.m.th. drejtësi-barazinë mes tyre, mes lukunisë politiko- ekonomike dhe në emër të ligjit, stabilitetin dhe rregullin e korrupsionit elitar dhe të qeverisjes me radhë në çdo katër apo tetë vjet. Ka ardhur koha, që masa popullore duhet të largohet e indinjuar, prej partive të pushtetit (PS, PD, LSI etj. etj.), sepse e vetëquajtura klasë politike, në të vërtetë është një elitë mafioze që nuk përfaqëson asgjë veç interesave të veta dhe nuk ka më asnjë mundësi, të dalë prej llumit dhe inkriminimit ku gjendet e zhytur! Shteti ligjor që bëhet prej atyre, që edhe vetë mes tyre thirren horra e kriminelë dhe që populli e di shumë mirë tashmë, se si u bënë të tillë politikanë, nuk mund të jetë shtet i së drejtës, i cili vjen kur populli përfaqësohet realisht me njerëzit e vetë në Parlament! Pra, për 24 vite me radhë predikohet e trumbetohet me të madhe, shteti ligjor dhe ndërtimi i tij…! Por, si në çdo ndërtim duhet leja e ndërtimit dhe pastaj, sigurisht duhet edhe themeli i sigurtë! Atëherë, nga kush po ngrihet ky shtet ligjor, me ç’leje (përfaqësi) dhe vegël në duart e kujt është…? A është realisht vullneti i popullit, ai që shfaqet dhe shprehet në Parlamentin Shqiptar…?! Sigurisht, që jo…! Vullneti popullor me tagrin e sovranit ka nevojë që organizimi politiko-shoqëror të mbështetet në themele të sigurta, themele këto, që nënkuptojnë katër shtyllat kryesore të ndërtimit të shtetit: Shtetin me sovranitet, që do të thotë se populli përfaqësohet realisht në vendimmarrje (Parlament), nëpërmjet një demokracie me rregulla të qarta dhe që funksionon me mekanizma kontrolli prej sovranit. Shtetin, që zhvillohet e fuqizohet vetë dhe jo një shtet parazitësh që mbahet vetëm përmes doganave, taksave, tatimeve e gjobave, që do të thotë shtet me bazë ekonomike dhe që merr përsipër funksionet e veta të drejtpërdrejta, si dhe mbajtjen e përgjegjësive direkte, jo përmes bosëve të huaj e vendës. Së treti, shqiptarët duan një shtet social, ku ekonomia nuk nënkupton vetëm financat (paranë, qarkullimin e saj dhe balancat në këtë treg), por tërësinë e marrëdhënieve në prodhim, pasuritë kombëtare dhe gjendjen materiale e monetare në raport të drejtë me mirëqenien. Ndryshe, ekonomia dhe luksi i disave nuk është ekonomia e shqiptarëve dhe as mirëqenia e tyre, por varfëria dhe mjerimi i popullit. Pra, mbi ekonominë dhe fuqiplotë, duhet të jetë sovrani nëpërmjet përfaqësuesve realë të tij (që jetojnë e punojnë aty ku janë zgjedhësit, në profesionet e tyre, duke u paguar si parlamentarë vetëm për ditët e seancave). Në mënyrë të veçantë, theksoj shtetin e së drejtës, që ndryshe nga shteti juaj dhe për ju, i quajtur ligjor, është një instrument në duart e sovranit dhe jo vegël e disa personave të ndarë në pozitë e opozitë, sa për të sunduar me radhë. Me pak fjalë, sipas koncepteve tona, jemi për shtetin e të drejtës, si mekanizëm apo instrument, që ngrihet pasi populli ndjehet i përfaqësuar prej atyre, që ai u delegon realisht fuqinë (pushtetin). Dhe, kjo vjen kur Kushtetuta ka kushtetutshmërinë që i jep populli dhe kur Kodi Zgjedhor nuk diskriminon asnjë qytetar dhe jo më shtresat e gjëra të popullit që e kanë të pamundur përfaqësimin e tyre në Parlamentin Shqiptar. Pra, me sy të lirë dhe me fare pak vëmendje, shohim rrufetë që vazhdojnë të shkarkohen mbi popullin e pambrojtur, ndërsa bubullimat vijnë pas rrufeve që e kanë bërë gjëmën, si zhurma hileqarësh, që fshehin mjerimin popullor dhe mjeranët politikanë. Në këtë mënyrë, siç është montuar demokracia shqiptare dhe shteti i saj, situata mbetet akoma konfuze, dramatike e qesharake në Shqipëri, e tejmbarsur me konflikte sociale duke na krijuar një klimë të zymtë në të gjitha përmasat dhe me rreziqe në ardhje. Mungesa e partive të vërteta politike, që funksionojnë mbi bazën e principeve teorike e politike dhe të rregullave të organizimit e funksionimit kërkon një subjekt politik, që dallohet qartësisht si mbrojtëse e interesave të masave popullore, të shtresave të paprivilegjuara, të pambrojtura dhe të kërcënuara nga padrejtësia dhe plagët e rënda të sistemit të çoroditur neoliberal. Pra, ajo ç’ka është atdhetare dhe kombëtare sot, ajo çka kërkohet me emergjencë nga forcat progresiste, është organizimi i një fryme mbarë popullore, aktive dhe e përhershme, që të kërkohet realizimi i ndryshimeve të thella: si fillim, nxjerrjen përpara përgjegjësive të shkaktarëve të mjerimit shqiptar, ndëshkimin e tyre dhe nisjen e zhvillimit të vendit mbi baza të gjëra popullore e kombëtare. Për këtë, së pari duhet kuptuar se populli është punëdhënësi i politikanëve dhe si i tillë, duhet t’u kërkojë llogari të fortë atyre në vijimësi, jo të takohet me pushtetin e tyre, vetëm kur të vijnë zgjedhjet. Sepse, ndryshimet rrënjësore kërkojnë qytetarin aktiv, intelektualin largpamës dhe të gjithë njerëzit me aspirata të tilla, që këto ndryshime të jenë në favor të interesave mbarë popullore e publike dhe jo për kastat e sektet politike të dukshme e të padukshme! Problemi ynë i përbashkët, i bërë tashmë kontradiktë dhe konflikt, është çlirimi shoqëror nga shtypja e shfrytëzimi, nga mashtrimi e skllavëria, është beteja për drejtësi shoqërore! Fatkeqësisht, shoqëria shqiptare i ngjan një karroce të prishur, prandaj nuk mund të mburret askush, se mund të jetë një kalë, që mund ta tërheq atë, ashtu të përgjumur, të rëndë dhe jo aktive në gjendjen që është aktualisht! Megjithatë, LDSH (Lëvizja për Drejtësi e Shqiptareve) këmbëngul te puna për emancipimin dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare, duke nisur kështu debatin politik e publik për sistemin dhe korrigjimin e tij. Mbi këtë bazë duhet të lindë reagimi i fuqishëm popullor për ndryshimet kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor, si mundësi reale e “ndërtimit në themel”, të një funksionimi krejt ndryshe dhe në shërbim të interesave të shoqërisë e të vendit. Në të kundërt, mbetemi në lëvizjet boshe të politikës, që i ngjan një vide të pambarimtë, që futet thellë e më thellë në shpirtin dhe jetën e shqiptarëve. Pra, duhet thënë troç, se pa reagim popullor të organizuar politikisht, do mbetemi duke parë si spektatorë, klanet që shkatërrohen dhe ato që ndërtohen e ngrihen si klane rivale dhe jo ndryshimet që duan e presin shqiptarët!
*Kryetar i “Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve”
(o.d/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: