Zyrtarët e Bashkisë Kukës kanë pranuar vendimin për taksën e Rrugës së Kombit e vendosur për qytetarët kuksianë.

Pak ditë para nisjes së aplikimit të taksës, kreu i Këshillit Bashkiak, Gjelbrim Shehu ka shprehur dakordësinë për tarifat e rinegociuara nga qeveria për banorët e zonës. Ndonëse çështja ishte sot në rendin e ditës për t’u diskutuar, për mungesë kuorumi mbledhja nuk u zhvillua.

Në deklaratën e Shehut thuhet se çështja e tarifës së rrugës së Kombit quhet e mbyllur dhe nuk do të jetë më pjesë e rendit të ditës pas reflektimit të qeverisë. Ai vlerëson se tarifa është e pranueshme dhe e përballueshme nga të gjithë

“Në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Bashkisë Kukës bëj me dije opinionin se mbledhja e Këshillit Bashkia e thirrur sot më datë 13.09.2018, nuk u zhvilluar për mungesë kuorumi.
Lidhur me pikën e fundit të rendit të ditës që ka të bëjë me analizën, diskutimin mbi vendosjen e tarifës së rrugës së Kombit sqaroj se kjo çështje quhet e mbyllur dhe nuk do të jetë më pjesë e rendit të ditës së mbledhjeve të Këshillit të Bashkisë pas reflektimit nga ana e qeverisë shqiptare dhe Koncesionarit, të tarifës prej 100 lekësh e caktuar për banorët e qarkut Kukës, e cila është e pranueshme dhe e përballueshme nga të gjithë.
Theksoj se erdhëm në këtë zgjidhje përfundimtare pas negociatash të vazhdueshme me Qeverinë Shqiptare, Koncesionarin dhe grupet e interesit në të mirë të interesave të banorëve dhe qytetarëve të qarkut Kukës.
Ju faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin!
Kryetari Gjelbrim Shehu”, thuhet në deklaratën e Kryetarit të Këshillit Bashkiak Kukës.

TARFIFAT
Më 17 shtator rinis aplikimi i tarifës së kalimit të autostradës dhe për banorët e qarkut të Kukësit kjo pagesë do të jetë 100 lekë të reja për çdo kalim.

Tarifa për kalimin e automjeteve në autostrada Milot –Morinë do të jetë 660 lekë (ose 5 euro).
Për çdo kalim deri në 44 kalime tarifa është 100 lekë përfshirë edhe TVSH -në.

Tarifat variojnë sipas llojit të mjetit; motoçikletat dhe automjete me tre rrota do të paguajnë 330 lekë, përjashtim bëjnë banorët e qarkut Kukës të cilët do ta kenë tarifën 50 lekë.

Automjete komercilale me dy akse dhe 6 rrota (1.90 m dhe 2.70 m) do të paguajnë 1490 lekë.
Kamionë të mesëm dhe autobusë të rëndë, përfshirë mjete me lartë 2.7 m do të të paguajnë 2140 lekë.

Kamionë të rëndë 4 akse a më shumë, do të paguajnë 2970 lekë.
Përdoruesisht e shpeshtë të kësaj rruge do të përfitojnë reduktime të ndjeshme të tarifimit.

Për 20-30 kalime në muaj, përfitojnë 10% zbritje.
Për 30-50 kalime në muaj përfitojnë 20% zbritje.
Për 50-60 kalime në muaj përfitojnë 30% zbritje dhe mbi 60 kalime përfitojnë 40% zbritje.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb