TIRANE– Pezullohet zbatimi i kontratës koncesionare për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit dhe kalimit me pagesë. Shkak i shtyrjes së zbatimit të kontratës koncesionare është ankesa e kompanisë “Catalyst and Salillari LLC”, e shpallur e dyta në tenderin e koncesionit, bërë në Komisionin e Prokurimit Publik, kundër vendimit të Ministrisë së Transporteve.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Transporteve, njëkohësisht dhe kryetar i vlerësimit të ofertave, Eduart Seitaj, i kontaktuar nga gazeta “Panorama” shpjegoi se koncesioni është i pezulluar, për shkak të ankesës së kompanisë “Catalyst and Salillari LLC”.

“Kjo është një procedurë normale. Duke qenë se kemi një ankesë për tenderin, deri në momentin që të shprehet Komisioni i Prokurimit Publik koncesioni është i pezulluar. Pra koncesioni është pezulluar për momentin, për shkak të ankesës së kompanisë”, shpjegoi Seitaj. Ankesa i është depozituar Komisionit të Prokurimit Publik më 1 gusht.

Për tenderin Milot­Morinë, Ministria e Transporteve shpalli fituese ofertën e kompanisë turke “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”, e cila ofroi shumën 320,604,079 euro për investim, ndërsa do të subvencionohet nga buxheti i shtetit në shumën 5,600,000 euro, nëse nuk arrihet trafiku i programuar i makinave që do të taksohen.

Kompania “Catalyst and Salillari”, e dyta në garën e koncesionit, ofroi shumën 217,562,056 euro për investim dhe kërkoi 4,995,000 euro subvencionim nga shteti.

MIRËMBAJTJA
Ashtu siç ishte parashikuar edhe në strategjinë e Ministrisë së Transporteve, 128 milionë euro fonde për mirëmbajtjen e rrugëve, Autoriteti Rrugor më 16 shtator pritet të hapë ofertat e tenderit për katër kontrata që do të zbatojnë projektin e mirëmbajtjes.

Fondi i vënë në dispozicion nga qeveria dhe 66 milionë euro nga Banka Botërore konsiston në mirëmbajtjen dhe pajisjen me sinjalistikë të 1400 km rrugë deri në 2020.

Në garë janë 16 kompani dhe kontrata parashikon mirëmbajtjen e rrugëve në Tiranë, Dibër, Kukës, Shkodër, Fier, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb