Gazetari Julian Kasapi i cili ka qenë prezent në zonën e prekur nga tërmeti në Turqi, ka treguar në studion e emisionit “Open” në News24 disa prej episodeve që ka hasur në qytetet e shkatërruara.

Kasapi tregoi se situata në Malatya ishte katastrofike, ndërsa përgjatë rrugës nga Gaziantep deri në Pazarcik zona ishte kthyer në një “qytet fantazmë”.

Ai tregoi gjithashtu se solidariteti mes popullit turk ishte shumë i dukshëm dhe se në rrugë që lidh qytetet e prekura me zonën tjetër ka mijëra familje në rrugë që po i largohen qyteteve, ndërsa automjetet që kalojnë aty ndalojnë dhe japin ushqim dhe batanije për njëri-tjetrin.

“Situata në Malatya është katastrofike. Përgjatë rrugës edhe nga Gaziantep deri në Pazarcik gjithçka ishte një qytet fantazmë. Asnjë shtet nuk mund të reagojë direkt sapo ndodh tërmeti. Ekipi shqiptar nuk ka pasur fokusin te shpëtimi i personave. Mendoj se grupet shqiptare aty ku ndodheshim ne ka qenë i vetmi ekip që dispononte kamera termike dhe pajime të tjera të sofistikuara ndryshe nga ekipe të tjera aty pranë.

Mua më ka bërë përshtypje solidariteti i madh mes popullit turk. Nga Malatya për në Gaziantep që janë rreth 200 kilometra ne e kemi bërë për 11 orë. Në rrugë ka mijëra familje në rrugë që i largohen qyteteve. Solidariteti mes popullatës turke është aq sa në mes të rrugës ndalonin automjete që të ofronin bukë, na dhanë edhe ne batanije. Ka qendra tregtare që janë kthyer në kampe për mijëra familje që kanë mbetur pa banesa. Bëhet fjalë për blloqe apartamentesh që janë të pabanueshme dhe mijëra familje që qëndrojnë pranë rrënojave sepse ende ka shpresë për jetë”, tregoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb