News24 zbulon shifrat galopante që kompania koncesionare ANK sh.p.k ka paraqitur në kontratë-marrëveshjen me qeverinë për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, e ashtuquajtur tashmë “rruga prej floriri”, ku sipas llogarive bazuar në kontratë 1 km do të kushtojë 15 mln euro. Kjo kompani e krijuar në vitin 2008 deklaron në dokumentacionin e paraqitur në Kuvend se do të financojë nga kapitali i saj 52 milionë euro.


Një shifër kjo e fryrë nëse do t’iu referohemi të dhënave të regjistruara në QKB nga kjo kompani e cila rezulton që të ketë një kapital vetëm 4 milionë euro. Lind pyetja; ku e ka gjetur këtë kapital financiar kjo kompani? Dyshimet mbi një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash shtohen edhe më tej me burimet e financimit që ANK shpk i ka propozuar qeverisë për këtë projekt.



Koncesionari thotë se do të marrë një kredi bankare 70 milionë euro, duke përcaktuar edhe normën e interesit mbi të prej 5%. Por me një kapital prej vetëm 4 milionë eurosh të deklaruar në QKB, kush do të jetë garanti i saj për këtë kredi me një vlerë të tillë dhe interesa kaq të larta? A i ka dalë qeveria garante me marrëveshjen e bërë për këtë hua?

Ato që nuk argumentohen në këtë aktmarrëveshje të kompanisë ANK janë edhe shifrat e fryra që ajo deklaron si shpenzime për punimet që do të kryejë në një rrugë prej 17.2 kilometra që do të ndërtohet në një territor fushor dhe në gjurmën ekzistuese.

Ashtu sikurse e ka paraqitur edhe në tabelën e kostove të ndërtimit nga koncesionari për punimet që do të kryejë në rrugën ekzistuese nga mbikalimi i “Rrugës së Kombit” e deri në rrethrrotullimin e Lezhës, kompania llogarit dhe deklaron si shpenzime 41.5 milionë euro, një shifër kjo shumë e lartë. Po kështu kompania thotë se do të harxhojë 24.5 milionë euro për vetëm 4 kilometra rrugë të re nga nyja e qytetit të Lezhës deri në Balldren.

Pjesë e projektit janë edhe ndërtimi dhe rikonstruksioni i dy urave po ekzistuese Mat dhe Drin me një gjatësi që nuk i kalon as një kilometër për të cilat ANK llogarit se do të harxhojë 29 milionë euro. Me po të njëjtën shumë koncesionari pretendon të ndërtojë rrugën sekondare prej 9.5 kilomerash. Edhe vlera e llogaritur për ndërtimin e vetëm një seksioni të tunelit është paraqitur shumë e lartë, 17.5 milionë euro. Ndërsa për sinjalistikën rrugore kompania ka parashikuar të shpenzojë 5 milionë euro. I gjithë ndërtimi në total sipas ANK shpk llogaritet të kushtojë 140 milionë euro.

Shifrat janë rekord edhe në shpenzimet e mirëmbajtjes së rrugës Milot-Balldren. Koncesionari për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës ka një afat prej 13 vitesh. Kompania ka llogaritur që në 5 vitet e para të kryej punimet dhe vetëm pas një viti të ndërtimit të rrugës, ajo llogarit shpenzimet për mirëmbajtjen në 20 milionë euro. Por a mund të shpenzohen kaq shumë euro për mirëmbajtjen e një rruge që sapo është ndërtuar?

Sipas kompanisë totali i kostove për këtë projekt shkon në 161.5 milionë euro duke përfshirë ndërtimin prej 141,5 milionë euro dhe mirëmbajtjen 20 milionë euro. Duke i shtuar kësaj shume dhe normën e fitimit dhe interesat për 13 vitet e shlyerjes, kostoja e rrugës arrin ne 213,7 mln euro e cila bashkë me TVSH rrumbullakoset në 260 milionë euro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb