Punimet në rrugën Qukës – Qafë Pllocë të nisura rreth 10 vite më parë, kanë mbetur në vendnumëro. News24 pa nga afër situatën në të cilën ndodhet ky aks i rëndësishëm rrugor që është kthyer në tejet problematik.

I konsideruar si një segment i rëndësishëm që bën të mundur shkurtimin e një distance të konsiderueshme të juglindjes së vendit me kryeqytetin, rruga Qukës-Qafë Plloçë është një nga akset më problematike, ku punimet kanë vite që zvarriten. Sot mund të flasim për rreth 50% të punimeve të kryera.

Në Korrik të vitit 2015 qeveria shqiptare mori përsipër të rinisë punimet që kishin filluar vite më parë në rrugën Qukës-Qafë Plloçë, duke ndërhyrë në projektin e mëparshëm, i cili kishte rezultuar me probleme.

Në gjendjen aktuale, kjo rrugë sjell probleme jo vetëm për udhëtarët që shkojnë drejt juglindjes, por edhe për banorët e fshatrave pasi ata e kanë të pamundur mos përballen cdo ditë me rrugët e prishura, ndotjen e ajrit, mosfunksionimin e një jetese normale.

Rreth 43 km e gjatë rruga është e parashikuar në tre lote, ku po punohet njëkohësisht ndërsa vlera e investimit kap shifrën e 38 milionë dollarëve. Në lotin e parë ka nisur asfaltimi por ende nuk kanë nisur punimet në gati 3 km. Në lotin e 2 kanë mbaruar pothuaj të gjitha veprat e artit së bashku me 2 tunelet por rruga është ende e papërfunduar, në lotin e 3 rrugët janë të papërfunduara duke lënë kështu një aks tejet problematik përsa i përket punimeve dhe kohës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb