Në veri tregojnë për nje malësor që e vranë pasi e kapën në flagrancë me gruan e dikujt tjetër. Kanuni për raste të tilla e ndalon vajin dhe nuk lejon t’i shkosh familjes për ngushëllim. I vetmi që shkoi ishte vëllai i viktimës, i cili vajin e nisi me fjalët: I mjeri unë për ty o vlla / tan si ti na kena ba / por ty t’kan zan e t’kan vra!

Partitë politike në Shqipëri tradicionalisht janë mjaft krijuese për të garuar jashtë rregullave të lojës: Dikush përdor paranë për vota, dikush admnistratën, dikush thesin me miell, dikush grupet kriminale. Dikush të gjitha bashkë.

E megjithatë, për herë të parë “Dosja 339” i dëshmoi publikut manipulimin zgjedhor nga zyrtarë të lartë socialistë në bashkëpunim me grupe kriminale. Ajo që të gjithë e dinin tashmë u provua.

Si rrjedhojë, opozita e akuzon parlamentin si jolegjitim. Ata që mbrohen i përgjigjen opozites me metodën e zakonshme të zhvlerësimit dhe relativizimit. Zhvlerësojnë rëndesën e krimit duke e cilësuar si rast të izoluar dhe pa ndikim në rezultatin e përgjithshëm zgjedhor. Relativizojnë flagrancën në manipulim me argumentin se tan si ti na kena ba. Sjellin shembuj kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Në pamje të parë relativizuesit tingëllojnë më bindshëm se zhvlersuesit. Është e vërtetë se manipulimet zgjedhore ndonjëherë janë problem serioz edhe për demokracitë e konsoliduara. Rasti më i famshëm vjen nga ai që quhet djep i demokracisë moderne.
Fill pas shpalljes së rezulatit të zgjedhjeve presidenciale të 2016-s Amerika u mbërthye nga dyshimi se ato qenë manipuluar nga Rusia. Tashmë hetimet e kanë vërtetuar manipulimin rus, por është ende e paqartë nëse manipulimi është kryer në bashkëpunim të fshehtë me kandidatin e atëhershëm Donald Trump.

Kjo paqartësi ka bërë që një pjesë e mirë e amerikanëve ta shikojnë sot me dyshim legjitimitetin e Presidentit. Është krijuar një atmosferë politike pa precedent, ku opozita dyshon se Presidenti është bashkëpunëtor i Kremlinit.

Ajo që në këtë rast SHBA dhe Shqipëria kanë të përbashkët është se në të dyja vendet dyshimi për manipulim zgjedhor është i vërtetuar. Por ka një ndryshim thelbësor. Fill pas vërtetimit të manipulimit, në SHBA nisi hetimi për bashkëpunim mes rusëve dhe stafit elektoral të Presidentit Trump. Kjo ka bërë që kriza në SHBA të qëndrojë brenda kornizave institucionale dhe të mos të dalë në rrugë. Në Shqipëri deri tani nuk ka një hetim të tillë. Vërtetimi i akuzave për manipulim dhe mungesa e hetimit e ka detyruar opozitën të largohet përfundimisht nga parlamenti dhe të dalë në rrugë.

Komentatorë, diplomatë, dhe politikanë, largimin e opozitës e kanë cilësuar si të tepruar, të panevojshëm, vetvrasës, dhe jodemokratik. Duke qënë i paprecedent, largimi i opozitës e vështirëson formimin e një gjykimi objektiv mbi aktin e saj. I vetmi mekanizëm që mund të ndihmojë në gjykim mbetet hamendësimi ose deduksioni.

Nëse hamendësojmë se njëjtë si për Dakon, akuzat për bashkëpunim të Presidentit Trump me rusët do të vërtetoheshin vetëm në media dhe institucionet përkatëse nuk do të reagonin, atëhere opozita amerikane jo vetëm që do të dilte në rrugë por do të përmendte amendamentin e dytë të Kushtetutës si mekanizëm për zgjidhjen e krizës. Ky është amendamenti i famshëm që garanton armëmbajtjen në popull, me qëllim mbrojtjen e demokracisë nga një pushtet jolegjitim.

Parë nga ky këndvështrim, lënia e mandateve dhe reagimet e deritanishme të pozitës mbeten akte të moderuara. Por me largimin nga parlamenti, opozita ka kaluar vijën e kuqe institucionale. Kthimi prapa do t’i kushtonte shumë më tepër politikisht se sa vazhdimi përpara.

Zgjidhja duket se do të vijë nga rruga.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: