Ish-kryebashkiaku i Himarës Fredi Beleri ndodhet në Tiranë si pjesë e delegacionit të eurodeputetëve të Parlamentit Europian për të marrë pjesë në takimin e 18-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.
Beleri ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit pas grupit të eurodeputetëve, teksa është përballur me praninë e madhe të mediave, por edhe akuza nga kalimtarë të rastit. Siç shihet në pamjet e siguruara nga “BalkanWeb”, Belerit i kujtohet nga një qytetar Fatmir Shehu, oficeri i vrarë në Masakrën e Peshkëpisë, si dhe roja Arsen Gjini, një ngjarje për të cilën ka qenë i akuzuar. Po kështu ai është përballur me fyerje dhe akuza.
“Si ndihesh që e ke…Fatmir Shehun atje, si ndihesh? Po Arsen Gjinin zoti Beleri? Turp! O rrugaç kush të futi ty deputet?”, dëgjohen qytetarët, teksa Beleri nuk ka reaguar, por ka vijuar rrugën.
Më pas ai i është afruar derës së Kryesisë së Kuvendit për të hyrë brenda, por e ka gjetur të mbyllur. Takimet e eurodeputetëve me komisionet parlamentare kishin nisur ndërkohë.
10 eurodeputetë nisën takimet në kryeqytet, ku takimi i planifikuar të mbahej në Kryeministri me kreun e qeverisë Edi Rama, është mbajtur në hotelin ku eurodeputetët janë akomoduar.
(BalkanWeb)