TIRANË- Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor janë duke ndjekur me kujdes të veçantë situatën e akseve rrugore pas reshjeve të dëborës që kanë rënë gjatë ditëve të fundit. Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve, për të zbatuar rregullat e qarkullimit dhe njoftojnë sot për gjendjen e akseve rrugore dhe kalueshmërinë e mjeteve në to. Në zonat kryesore të vendit vazhdon të ketë vështirësi në qarkullim për shkak të motit të keq dhe temperaturave të ulëta, por përgjithësisht gjendja e akseve nacionale paraqitet e përmirësuar. Bëhet me dije se deri në orën 15:00 situata e kalueshmërisë së akseve rrugore paraqitet si më poshtë:
Qarku Tiranë
Në akset Trau Dajt-Qafë Mollë-Bizë, Trau Dajt-Antena, Qafë Priskë-Shëngjergj kalimi kryhet normalisht. Qarkullimi rekomandohet të kryhet me kujdes me afrimin e mbrëmjes, pasi formohen ngrica në rrugë nga ulja e temperaturave.
Qarku Durrës
Nuk ka probleme në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, pasi ka trafik në akset e këtij qarku.
Qarku Elbasan
Aksi Librazhd-Steblevë është i hapur, por ka ngrica dhe kalimi kryhet me zinxhirë. Aksi Elbasan-Gjinar kalohet normalisht, por për shkak të shembjes në Shelcan është i pakalueshëm për mjetet e rënda. Duhen përdorur zinxhirët sidomos në segmentin Lunik-Steblevë. Në akset e tjera të bëhet kujdes në orët e mbrëmjes nga ngricat në rrugë.
Qarku Berat
Në segmentin Kthesa Gllavë-Antena ka prani të ngricave. Qarkullimi në segmentin Kthesa Gllavë-Antena duhet të bëhet me zinxhirë. Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e tjera të këtij qarku. Të bëhet kujdes për shkak të fluksit të makinave dhe në segmentet rrugore ku punohet.
Qarku Vlorë
Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku. Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset. Por në orët e mbrëmjes të bëhet kujdes nga ngricat në aksin e Llogorasë, të merren masa për kalim me zinxhirë.
Qarku Gjirokastër
Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku. Rekomandohet ecja e kujdesshme, sidomos në orët e mbrëmjes, pasi me uljen e temperaturave mund të formohen ngrica në akse të ndryshme.
Qarku Korçë
Po vazhdon puna për hedhjen e kripës në ato akse ku ka prezencë të ngricave, pasi temperaturat ulen ndjeshëm me afrimin e mbrëmjes. Qarkullimi aktualisht kryhet pa zinxhirë në të gjitha akset e qarkut të Korçës. Por në orët e mbrëmjes, nga temperaturat e ulëta ka segmente rrugore ku formohen ngrica. Prandaj rekomandohet që mjetet të jenë të pajisur me zinxhirë.
Qarku Kukës
Është bërë pastrimi i rrugëve, spërkatja me kripë dhe skorje. Disa akse qarkullohen pa zinxhirë. Në akset K.Domaj-Draj Reç dhe Bajram Curri-Kam, ka prani ngricash. Në aksin Bajram Curri-Qafë Morinë, ka ngrica në rrugë nga erërat e forta dhe temperaturave të ulëta. Qarkullimi rekomandohet të bëhet me zinxhirë në këto akse: Bajram Curri-Kam dhe K.Domaj-Draj Reç (Rruga e Rinisë), për shkak të temperaturave shumë të ulëta dhe ngricave në rrugë. Qarkullimi në aksin Bajram Curri-Qafë Morinë rekomandohet të kryhet me zinxhirë.
Qarku Dibër
Vazhdon hedhja e kripës dhe skorjeve, për shkak të temperaturave shumë të ulëta gjatë natës. Ka prani ngricash në akset Ura e Cerenecit-Steblevë, Peshkopi-Qafë Draj, Qafë Bualli-Krastë. Qarkullimi rekomandohet të kryhet me zinxhirë në segmentin Ostren i Vogël-Steblevë, në aksin Qafë Bualli-Krastë dhe në segmentet Muhurr-Qafë Draj (Rruga e Rinisë) dhe Sllovë-Kalaja e Dodës.
Qarku Shkodër
Me afrimin e mbrëmjes temperaturat ulen dhe në zona të caktuara ulen ndjeshëm. Në akset Qafë Mali-Flet dhe Qafë Mali-Qafë Shllak formohen ngrica në orët e mbrëmjes. Edhe në aksin e Razmës ka prani ngricash në orët e mbrëmjes. Qarkullimi aktualisht kryhet pa zinxhirë në të gjithë akset. Të bëhet kujdes nga ngricat në orët e mbrëmjes, pasi temperaturat ulen.
Qarku Fier
Nuk ka probleme për qarkullimin. Të bëhet kujdes në lëvizje, vazhdon fluksi i madh i lëvizjeve të makinave në superstradën Fier-Lushnjë.
Qarku Lezhë
Nuk ka probleme për qarkullimin. Të gjitha akset janë të pastruar. Të gjitha akset aktualisht qarkullohen pa zinxhirë.Në aksin Rrëshen-Qafë Bënë, ka formim ngricash në orët e mbrëmjes. Qarkullimi rekomandohet të kryhet me zinxhir në orët e mbrëmjes në aksin Rrëshen-Qafë Bënë

(ma.ar/mi.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: