Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamed Rrumbullaku deklaroi se autori i dyshuar i krimit në Pogradec, Denis Meçe nuk kishte asnjë njohje me viktimën, Eglantin Proga, ndryshe nga sa aludohej në media.
Në një dalje për mediat, Rrumbullaku tha se sherri nisi për një konflikt të çastit.
“Në rastin e ngjarjes në Pogradec, autori dhe viktima nuk njiheshin dhe nuk është e vërtetë asgjë nga pistat që flitet dhe keqinformohet. Ajo ngjarje ishte një konflikt i çastit.”, tha ai.
Ai u ndal dhe te arrestimi dy eksponentëve të krimit, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj.
“Policia e Shtetit është partneri më i besueshëm për të gjithë partnerët me të cilët operojmë, sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, në bashkëpunim me SPAK. Mund t’ju bëj me dije se në kuadër të operacioneve të fshehta policore, policia ka bërë të mundur arrestimin e dy eksponentëve të krimit të organizuar, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe.”, pohoi kreu i Policisë së Shtetit.
(BalkanWeb)