Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar ka hapur garën për Drejtorin e ri të Përgjithshëm të RTSH-së.

Çelja e garës ishte pika fillestare e rendit të ditës në mbledhjen e parë të këtij viti të drejtuar nga kryetari i Këshillit, Leka Bungo.

Duke iu referuar statutit të Radio Televizionit Shqiptar, z. Bungo rreshtoi edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët:

të jenë shtetas shqiptarë; të kenë kryer arsim të lartë;

të jetë individ me ndjenjën më të lartë të integritetit, përgjegjësisë, kualifikimeve profesionale dhe meritave;

të ketë përvojë pune jo më pak se 10 vjet, nga të cilat 5 vjet në pozicion menaxhimi të medies, institucioneve publike joadministratë, në sektorin privat, në shkenca komunikimi, teknologji komunikimi dhe digjitale;

të ketë përvojë të spikatur në menaxhim dhe drejtim;

të dëshmojë njohje të sektorit publik, audioviziv, për misionin dhe zhvillimin e tij në përputhje me standardet europiane

Kandidatët që aspirojnë postin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së kanë afat për dorëzimin e kandidaturave dhe platformave të tyre deri në datën 20 janar.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Drejtues u diskutua edhe raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për veprimtarinë e Radio Televizionit Shqiptar në periudhë janar 2022–qershor 2023.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: