Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, drejtoi sot një mesazh me rastin e 75-vjetorit të krijimit të Brigadës XV Sulmuese.

“Në 75 vjetorin e krijimit të Brigadës së XV, këtij formacioni heroik të Ushtrisë dhe të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, përshëndes veteranet, veteranët dhe pasardhësit e luftëtarëve të Brigadës së XV Sulmuese dhe të formacioneve të tjera të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Uroj nga thellësia e zemrës që me luftëtarët, veteranët dhe pasardhësit e tyre, i festofshim për jetë e mot përvjetorët e shënuar të çlirimit të atdheut dhe të krijimit të formacioneve të ushtrisë partizane, të cilat çliruan Shqipërinë dhe na vendosën në anën e kombeve antifashiste e liridashëse”, thotë Ruçi në mesazhin e tij.

Ai shtoi se brigada e XV u krijua dhe zhvilloi betejat e saj të pashembullta për nga heroizmi në zemër të Shqipërisë.
“Kur them në zemër të Shqipërisë nuk kam parasysh vetëm territorin, por kontributin e zonës së Pogradecit dhe Korçës në Luftën e madhe Antifashiste dhe Çlirimtare.
Ishte kulmi i Operacionit të Qershorit dhe në Shqipëri kishte filluar të ndihej era e lirisë që po sillnin bijtë e popullit, të rreshtuar në formacionet luftarake të Ushtrisë Partizane. Partizanët shqiptarë e ëndërruan, e dashuruan dhe e sollën lirinë në atdheun e tyre”, shprehet kreu i Kuvendit.

Ai tha se inaugurimi i Brigadës së XV pati një tipar të veçantë. “Luftëtarët e përfshirë në radhët e saj nuk patën kohë të festonin, por edhe ditën e themelimit vazhduan betejat luftarake. Brigada e XV u pagëzua në zjarrin e betejave fitimtare kundër pushtuesve.
Si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, por edhe si qytetar përulem sot me nderim të thellë para veprës së 1.200 luftëtareve e luftëtarëve të Brigadës së XV, të batalioneve që formuan këtë formacion si ‘Fuat Babani’, ‘Hakmarrje’, ‘Skënder Çaçi’, ‘Reshit Çollaku’, ‘Tomori’, ‘Rinia’ etj., para kujtimit të komandantit Teki Kolaneci dhe Komisarit Shahin Rukaj dhe drejtuesve të tjerë të formacioneve luftarake të Brigadës”, deklaron Ruçi.

Kreu i Kuvendit thotë në mesazhin e tij se brigada e XV shënoi epope heroizmi kudo ku zhvilloi betejat e saj luftarake kundër pushtuesve e kolaboracionistëve: në Korçë, Pogradec, Librazhd, Elbasan, Qafë Thanë, Mirakë, Xibrakë, Labinot, Qafë Kërrabë, Bradashesh, Qukës, Delvinë etj.

“Gjej rastin të përsëris se asgjë nuk është më frymëzuese sesa Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ndër stolitë më vyera të popullit shqiptar. Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare nuk vjetrohet kurrë dhe nuk do të shlyhet asnjëherë nga kujtesa kolektive e shqiptarëve. Veprën e lavdishme të partizanëve shqiptarë, të vajzave e djemve të Shqipërisë që luftuan e ranë për lirinë, e kemi të gjithë për detyrë ta nderojmë, pavarësisht bindjeve e partive”, shprehet Ruçi.

Më tej ai thekson se antifashizmi nuk është çështje bindjesh apo simpatish politike, por një qëndrim kombëtar. “Antifashizmi është zgjedhja të jesh pro popullit tënd, pro lirisë, pro sistemit demokratik, pro progresit, pro Europës dhe SHBA. Lavdi partizanëve shqiptarë, dëshmorëve dhe heronjve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare!
Lavdi heronjve, dëshmorëve, partizaneve dhe partizanëve të Brigadës së XV Sulmuese Heroike! Rroftë 75 vjetori i çlirimit të Shqipërisë!”, shkruhet në mesazhin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb