Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruci ka pritur në një takim zv/kryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, shqiptarin Artan Grubi.

Ruçi vlerëon bashkëpunimin mes dy vendeve teksa është i kënaqur nga roli i partive politike shqiptare në shtetin fqinj.

Ai thotë se censusi i këtij viti në Maqedoninë e Veriut duhet të bëhet sa më i saktë dhe i drejtë që dhe shqiptarët të përfaqësohen në institucionet shtetërore.

 

NJOFTIMI NGA KUVENDI
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Zëvëndëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, z. Artan Grubi: Bashkëpunimi Shqipëri-RMV, kontribut në stabilitetin rajonal
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Zëvëndëskryeministrin e parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Artan Grubi, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Në takim ishin të pranishëm edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, z.Taulant Balla, dhe Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Shqipëri, z. Dancho Markovski.
Zëvëndëskryeministri Grubi e informoi Kryetarin e Kuvendit Ruçi për zhvillimet më të fundit në vendin fqinj mbi integrimin europian, bashkëpunimin rajonal si edhe procesin e regjistrimit të popullsisë.
Z. Gramoz Ruçi vlerësoi bashkëpunimin dhe marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve, të cilat janë shembull bashkëpunimi në rajon. “Jemi shumë të kënaqur nga roli aktiv dhe konstruktiv i aktorëve politikë shqiptarë në zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, si dhe besnikërinë e popullsisë shqiptare në interes të vendit. Ne do t’i inkurajojmë ata gjithmonë që të veprojnë në të mirën e tyre dhe të vendit të tyre. Perspektiva jonë e përbashkët për anëtarësimin në BE ka një rëndësi thelbësore për stabilitetin rajonal. Nisja sa më parë e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut përbën një domosdoshmëri për të gjithë rajonin dhe jo vetëm për vendet tona.”, theksoi Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.
Kryetari i Kuvendit Ruçi vlerësoi gjithashtu nismën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për regjistrimin e popullsisë, përfshirë atë të Diasporës, dhe nënvizoi se përfshirja e emigrantëve është një element shumë i rëndësishëm në këtë proces. “Përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në institucionet e Maqedonisë së Veriut është në dobi të vetë këtyre institucioneve dhe zhvillimit të vendit. Të gjitha palët janë të interesuar dhe duhet të kontribojnë që ky regjistrim të bëhet sa më i saktë dhe i drejtë. Regjistrimi i drejtë ndihmon përfaqësimin e drejtë.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb