Ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, i del në krah Xhani De Biazit në prag të pjesëmarrjes historike të Shqipërisë në Europian. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, Vata flet pa doreza për kuqezinjtë, duke filluar nga lista, miqësoret e fundit dhe forma e lojtarëve. “Në qershor jemi mësuar të pushojmë, jo të luajmë. Lojtarët nuk janë ata të eliminatoreve të fundit”, është shprehur Vata.

Rudi, ta nisim me listën e lojtarëve. Si i gjykoni zgjedhjet e De Biazit?
Për mendimin tim, nga ana profesionale lista e parë me 27 lojtarë ka qenë e logjikshme. Natyrisht, mund të ketë pasur njëfarë hatërmbetjeje, siç ishte rasti i Salihit. Normalisht, sulmuesi me të drejtë ka menduar se duke pasur një kontribut të gjatë me Kombëtaren, duhet të ishte pjesë e Europianit. Por, me ata sulmues që De Biazi ka pasur në dispozicion, skuadra ku luajnë dhe mosha e tyre, gjykoj se trajneri ka bërë një përzgjedhje normale. Kjo i shkon për shtat edhe stilit të lojës sonë, pasi rrallëherë Kombëtarja mund të luajë me dy sulmues. Gjithmonë De Biazi e ka nisur lojën me një sulmues të deklaruar. Nëse do të ishte lënë jashtë Gashin, Balajn apo Sadikun, secili prej tyre do të kishte pretendimet e veta për kontributin në edicionin e fundit në krahasim me Salihin. Ky është futbolli dhe duhet të kuptojmë që nuk mund t’u shmangemi dot këtyre situatave, janë më se normale.

Salihi ka thënë se e kanë lënë jashtë disa persona dhe askush nga FSHF apo stafi i Kombëtares nuk e kanë telefonuar…
E kuptoj që Salihi është në fundin e karrierës dhe ndoshta është dashur të ketë pak më shumë vëmendje ndaj tij. Situata e tij duhet të kishte një menaxhim më profesional, me një respekt më të madh për atë që ai ka dhënë me fanellën e Shqipërisë. Unë jam i sigurt se Salihi ka ndier një mungesë respekti ndaj pozicionit që ka pasur. Hamdiu nuk është trajtuar profesionalisht, por në një mënyrë jo korrekte. Ai sigurisht që ka merituar diçka më shumë në informimin e kësaj situate. Unë jam i sigurt që lista nuk është vendosur në momentet e fundit.

Ju mendoni se lista ka qenë në “kokën” e De Biazit shumë kohë më parë?
Patjetër. Jam i bindur që Salihi nuk ka qenë në planet e De Biazit që gjashtë muaj më përpara. Pak a shumë trajneri e ka pasur në “kokë” listën me kohë dhe jam i sigurtë që edhe stafi pranë trajnerit, e gjithashtu presidenti Armand Duka, e kanë ditur që Salihi nuk do të ishte në Europian. Do të ishte më korrekte për Hamdiun nëse kjo situatë do të kishte kaluar qoftë edhe me një falënderim për kontributin që ka dhënë. Kjo nuk kishte pse të mos ndodhte, pasi prodhoi polemika dhe pakënaqësi. Edhe pse në futbollin shqiptar po punohet për të ndryshuar mentalitetin, ende jemi larg asaj që duhet. Kultura dhe edukimi i përgjithshëm i njerëzve që merren me sport, si dhe ata që punojnë në FSHF nuk janë në nivelet e duhura. Kjo është një situatë tipike alla-shqiptarçe. E them këtë, pasi nuk i ka ndodhur vetëm Salihit, por edhe mua, e gjithashtu Igli Tares.

Në ç’kuptim alla-shqiptarçe?
Shikoni, dikush nga lojtarët që e ka pasur më mirë raportin me presidentin Duka është trajtuar ndryshe. Kjo është jeta dhe tashmë Salihi duhet të shikojë përpara, sepse nuk është vetëm ai që e ka pësuar në këtë mënyrë. Ka të tjerë ish-futbollistë të mëdhenj që e kanë pësuar edhe më keq në Kombëtare, por jeta vazhdon. Futbolli është i bukur, edhe sepse ka këto lloj gjërash.

Të mbetemi te lista përfundimtare. Ju surprizoi ndonjë i larguar?
Kam lexuar dhe dëgjuar shumë gjëra, por nëse ka ndodhur ashtu siç flitet, pra që lista është bërë si “Big Brother”, mendoj se nuk është e bukur. Rashicës i është bërë një reklamë e madhe në kampionatin holandez, duke bërë një paraqitje të mirë. Për mua është një lojtar që ka vlera, po ashtu edhe Gjimshiti. Ndërsa sa i përket Veselit, nuk e njoh aspak dhe s’mund të jap asnjë gjykim. Në të vetmen ndeshje që e kam parë me Kombëtaren, s’më ka lënë ndonjë impresion të veçantë. Situata e krijuar me listën nuk është e shëndetshme edhe për atmosferën në skuadër, por edhe për të ardhmen e Kombëtares.

Çfarë doni të thoni me këtë?
Dua të them që pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA ka për të pasur shumë gjëra interesante pas përfundimit të Europianit. Jam i sigurtë që do të ketë shumë ngjarje, duke filluar nga trajneri De Biazi dhe deri te lojtarët. Natyrshëm mund të ketë largime, por mbetet për t’u parë.

Pas polemikave për përzgjedhjet, De Biazi është parë shumë i nervozuar në konferencat për shtyp. Si e shpjegoni këtë?
Nuk më ka lënë një shije të mirë. Kjo më bën të besoj se atmosfera në Kombëtare nuk është si ajo e eliminatoreve. Shikoj që diçka nuk shkon dhe në skuadër ka një lloj ngërçi. Këtë e kam vënë re edhe në dy ndeshjet e fundit miqësore. Pra, nuk është ajo Kombëtare me atë entuziazëm që kishte në ndeshjet eliminatore. Më duket një skuadër e ngurtë dhe pa optimizëm. Edhe De Biazi ka mo-mente që është i nervozuar dhe ndoshta i çuditur për këtë situatë. Gjithsesi, është një moment që trajneri i Kombëtares nuk duhet sulmuar, por duhet mbështetur.

Trajneri ka thënë se prej zgjedhjeve të tij skuadra ka arritur këtu, prandaj dhe duhet lënë i qetë në prag të Europianit…
Jemi në prag të një pjesëmarrjeje historike dhe duhet t’i japim shansin skuadrës dhe trajnerit që t’i gjykojmë vetëm pas Europianit. Po të diskutojmë që tani, atëherë do ketë aludime. Do thonë që ka polemika prej xhelozive dhe interesave. Duhet të kuptojmë diçka, që nuk ka asnjë Kombëtare ku nuk bëhen gabime, probleme ka kudo. Trajneri është ai që bën zgjedhjet dhe në fund do të jetë po ai që do të gjykohet. Mund të ndodhë që Shqipëria të fitojë tri ndeshje apo t’i humbi të tria. Ne duhet të jemi sa më mbështetës ndaj trajnerit dhe lojtarëve. Duhet të jenë të qetë dhe larg situatave negative që mund të kenë ndodhur, pasi nuk i shërbejnë Kombëtares në Europian.

Si ju duk skuadra në dy miqësoret në prag të Europianit?
Ne duhet të kuptojmë që Kombëtares po i vjen për herë të parë një situatë e tillë. Deri një vit më parë në këtë periudhë, lojtarët shqiptarë pushonin pranë familjeve dhe i gjeje në plazhe. Tashmë janë të angazhuar dhe trupi i tyre natyrshëm reagon ndryshe. Nuk e dimë se si do të reagojnë në Europian, sepse është një situatë e re për çdo lojtar dhe vetë stafin teknik. Është shumë e rëndësishme ana psikologjike dhe ajo fizike, prandaj edhe në dy miqësoret e fundit, përqendrimi nuk ka qenë maksimal. Kjo ishte e pritshme, pasi gjithë karrierën e tyre lojtarët tanë kanë pushuar në muajin qershor. Ne nuk jemi Gjermania, që një herë në dy vite është e angazhuar këtë muaj. Tani që po e mendoj, edhe unë në karrierën time të gjatë nuk kam qenë asnjëherë pjesë aktive në muajin qershor.

Çfarë ju zhgënjeu më tepër ndaj Ukrainës?
Zhgënjim është fakti që në dy ndeshje kemi pësuar katër gola. Janë shumë, madje ndoshta edhe për Katarin, jo më për ne. Në aspektin mbrojtës, skuadra nuk ka treguar ato vlera të viteve të fundit. Diçka nuk shkon, sepse duhet të dimë që çelësi i suksesit të Kombëtares në kualifikimin në Europian ka qenë faza mbrojtëse. Kemi pësuar pak gola në eliminatore dhe tashmë në këto dy ndeshje para Europianit të pësojmë katër është vërtet diçka shqetësuese. Kur mendon se do të luajë ndaj ekipeve si Zvicra, Franca dhe Rumania, është momenti që Kombëtarja të punojë si grup në aspektin difensiv. Golat që kemi pësuar janë shumë naivë dhe tashmë në aspektin psikologjik skuadra do të futet me frikë në Europian.

A kishte diçka që ju pëlqeu në provën gjenerale?
Ne nuk shquhemi për të shënuar. Vërtet bëmë tre gola me Katarin, por kundërshtari ishte i një niveli të ulët. Kemi defekte në sulm dhe tashmë edhe në mbrojtje, dy situata mjaft të rëndësishme, që për momentin nuk po japin fryte. Sigurisht që De Biazi dhe lojtarët do të mbledhin forcat për të qenë në ndeshjen e parë më të fortë.

Debutojmë në Europian ndaj Zvicrës së shqiptarëve, çfarë prisni?
Kjo është ndeshja më e rëndësishme e grupit për ne. Është si një derbi ose ndeshje prestigji, ku lojtarët nuk kanë nevojë të motivohen. Ata automatikisht janë të karikuar, për më tepër që 80% e stadiumit do të jetë i mbushur me tifozë shqiptarë. Kjo është ndeshja kyçe e Europianit dhe ekipi duhet të jetë në shkallën maksimale të organizimit. Pra, duhet të karikojë mirë bateritë./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: