TIRANË
Krijohet një tjetër parti e djathtë. Rudina Hajdari dhe Astrit Patozi janë themeluesit e partisë së fundit politike që do të regjistrohet në fillim të javës së ardhshme dhe do të mbajë emrin Bindja Demokratike.
Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se deputetja Hajdari ka mbledhur grupin parlamentar të krijuar nga deputetët e rinj dhe është diskutuar mbi regjistrimin në zgjedhjet lokale.
Pikërisht në këtë mbledhje u vendos edhe krijimi i Partisë Bindja Demokratike. Partia do të regjistrohet të martën në KQZ dhe Gjykatë.
Një ditë më parë vajza e një prej themeluesve të Partisë Demokratike, paralajmëroi se do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, e madhe u hap dhe një debat se në siglën e kujt partie.
Ndërkohë mësohet se pjesë e partisë së re janë bërë disa prej figurave që kanë qenë pjesë e rëndësishme e Partisë Demokratike. Vetëm pak ditë më parë, Astrit Patozi doli hapur në mbështetje të Rudina Hajdarit dhe mes tyre pati dhe një takim. Po kështu sipas burimeve për “BalkanWeb” janë ftuar edhe të tjerë të larguar dhe të pakënaqur nga PD.
Kujtojmë se që në fillim të vitit të kaluar, Patozi pati një tentativë për krijimin e një partie të re duke zhvilluar madje takime me demokratë dhe të pakënaqur në disa qytete.
(m.k/BalkanWeb)