Deputetja Rudina Hajdari ka folur me tone të ashpra në seancën e parë plenare në Kuvend. Hajdari sulmoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij, teksa tha se kjo është qeveria më skandaloze që ka parë ndonjëherë Shqipëria.

Nga foltorja e Kuvendit, deputetja demokrate dha alarmin se shumë shpejt do të mbyllen dy dosjet e bujshme “339” dhe “184” dhe të gjithë zyrtarët e lartë të përfshirë në të do të shpëtojnë pa u ndëshkuar.

“Alimadhi e Musai parashtruan prioritetet e opozitës. Nuk ka asnjë dyshim që kjo qeveri është një nga qeveritë më skandaloze që ka parë ndonjëherë vendi. Kjo dëshmohet qartë edhe në raportet ndërkombëtare. Nuk ka asnjë dyshim që ne këtu kemi një korrupsionet më të larta në vend, jemi me një kryeministër që ka sjellë regresin e Shqipërisë.

Kemi një qeveri që nuk di të menaxhojë ekonominë. Nuk ka dyshim që kjo qeveri nuk ka vullnet dhe dëshirë për të mbajtur para përgjegjësisë asnjë zyrtar të lartë që akuzohet për korrupsion. Nuk ka vullnet për të hapur dosjet “339” dhe “184”, ato shumë shpejt do të mbyllen dhe këta zyrtarë të lartë nuk kanë për të parë asnjë ndëshkim”, tha deputetja demokrate.

Më tej, deputetja Hajdari ka kritikuar ashpër edhe skemën e Partneritetit Publik Privat, duke e cilësuar të rrezikshme dhe korruptive.

“Skema e fundit e PPP mund të konsiderohet si një nga skemat më korruptive, kjo skemë ka fundosur buxhetin e shtetit dhe është nga skemat më të rrezikshme për vendin. Shqipëria nuk ka pasur asnjë investim të huaj dhe këtë e tregojnë të gjitha raportet e fundit. Bandat kanë zaptuar vendin dhe kanë pushtet mbi pushtetin”, theksoi Hajdari.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb