TIRANE

Deputetja Rudina Hajdari, ka sulmuar ashpër krerët e politikës shqiptare, duke thënë se ata kanë bërë marrëveshje dhe po shijojnë ‘dashurinë në kohën e kolerës’. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, kryetarja e grupit parlamentar të opozitës së re, është shprehur se Shqipëria nuk ka marrë fund, por janë pikërisht këta politikanë, që sipas saj kanë marrë fund dhe janë të frikësuar në palcë.

“Njerëzit hapin sytë dhe i ngrenë nga Perëndia. Shqiptarët nuk dinë cilës derë t’i bien, ndërkohë që në Tiranë po zhvillohet një teatër i shëmtuar i njerëzve që po shijojnë dashurinë në kohën e kolerës. Ç’faj kanë njerëzit, rinia, biznesi? Kritika kryesore që iu bëj njerëzve është që të flasin me ndjesi dhe jo me fakte. Kësaj here do dal nga ky rregull dhe do flas me shpirt. Në kohë të jashtëzakonshme, është e udhës të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme.

Shumë njerëz më thonë “mos, se ky vend ka marrë fund, Shqipëria nuk bëhet, mos se këta janë të rrezikshëm, kanë bërë marrëveshje”. Por, unë e ndjej se nuk jam vetëm, ky vend nuk ka marrë fund, këta njerëz kanë marrë fund. Këta nuk janë të rrezikshëm, por janë të frikësuar në palcë. Këta kanë bërë marrëveshje”, është shprehur Hajdari.

Pjese nga fjala në parlament: 

“Rama premton vende pune, ndërkohë që njerëzit kanë carë ferrën bashkë me serverin e Lotarisë Amerikane

Gjenerali në hije me ushtri të mpirë me gaztorin kimik luan luftërash, njerëzisë u përloten sytë dhe shpirti.

Kryetari në tentativë i legjionit të shpërbërë, u premton mjekëve se do i lajë në flori, u premton studentëve të çlirojnë universitete duke luftuar drogën dhe studentët çuditen. U premton astirasve se nga Astiri nuk do të heqin Astirin, Tirana vazhdon anormalitein e anormalëve.

Kryetari në tentativë i legjionit të shpërbërë nxjerr mish për top njerëzit, për hallin e tij, njerëzit të habitur hapin sytë dhe nuk dinë në ç’derë të trokasin.

Ç’faj ka kjo shoqëri që duhet të ndihet e papërfillur, biznesi që nuk llogaritet, kjo rini që duhet të shpërfillet nga çudibërësit e shkëputur nga realiteti

Kritika që u bëj njerëzve është të flasin me ndjesi, u drejtohem atyre që jo vetëm më vështroni por edhe më shikoni, do flas me shpirt, për ata që kanë veshë të më dëgjojnë, e ata që më shikojnë.

Në kohë të jashtëzakonshme është e udhës të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme, shumë njerëz më thonë, mos, se ky vend ka marrë fund, mos se Shqipëria nuk bëhet, shqiptarët janë dembelë, mos se këta janë të rrezikshëm, se këta kanë bërë marrëveshje, se media është e shitur, mos se je vetëm.

Unë ndiej se nuk jam vetëm, ky vend nuk ka marrë fund, e këta kanë marrë fund se shqiptarët nuk janë dembelë por këta janë dembelë, këta nuk janë të rrezikshëm por të frikësuar në palcë, kanë bërë marrëveshje por jo për shqiptarët por për zuzarët. Unë i detyrohem këtij vendi shumë dhe kam për të bërë gjithçka, nuk jam vetëm, jemi më shumë se çmendohet dhe më shumë se ç’mund të thuhet”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb