Një ditë më parë, Rudina Hajdari u shpall kryetarja e “Grupit Parlamentar Demokrat”, ndërsa sot përmes një statusi në Facebook, thotë se grupi i krijuar është tërësisht në përputhje me rregulloren e Kuvendit, ligjet dhe Kushtetutën e Shqipërisë.
Ajo thotë se bashkë me Myslim Murrizin vijojnë të jenë pjesë e grupit Parlamentar të PD-së, i cili u shkri kur PD vendosi të lërë mandatet. Ky fakt thotë Hajdari, nuk e detyron dot të mos krijohet një grup tjetër i djathtë.
STATUSI I PLOTE
“Grupi Parlamentar Demokrat” është krijuar në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit, ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Shqipërisë.
Sikurse unë ashtu edhe deputeti Myslim Murrizi nuk jemi larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Partia Demokratike me vendimin për “dorëzimin në bllok të mandateve” vendosi njëkohësisht të ndërprejë përfaqësimin në Kuvend dhe të shkrijë Grupin Parlamentar të PD.
Neni 15, pika e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë përcakton se:
“2. Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh.
Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që
largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar
vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit”.
Ndaj nuk jemi në kushtet e largimit nga Grupi Parlamentar i PD (dhe nuk është i vlefshëm kushti i afatit 6 mujor) por në rrethanat e gjendjes së faktit ku deputetët e Kuvendit në bazë përkatësisë partiake apo të orientimit politik në përputhje me Rregulloren vendosin për krijimin e Grupit Parlamentar.
Grupi Parlamentar Demokrat është krijuar mbi bazën e orientimit politik të djathtë me qëllim:
1. Zgjidhjen e krizës politike përmes Reformimit të sistemit zgjedhor (politik).
2. Përfaqësimin e vërtetë dhe me integritet të Demokratëve dhe oponencës qytetare në Kuvend.
3. Misionin për Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
(m.a/BalkanWeb)