Gazetarja, Rudina Xhunga, e ftuar në emisionin “Provokacia” në ABC News, është pyetur nga moderatori Mustafa Mano, për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti. Ajo shprehet se:

“Albinin e kam intervistuar që në fillim, që kur e nisi këtë rrugë. Kanë qenë fillimet e mia në Kosovë, në përplasjet e 2004-ës, ku u krijua ideja se ai qëndronte pas sulmeve të ndërkombëtarëve. Asokohe, pyeta Arbër Xhaferrin, “A është një person i rrezikshëm?”

“Jo”,- më tha, “ai është personi i duhur. Sepse ai është ajo çfarë duhet tani.” Atë që nuk mund t’ua bëjë të qartë shteti, është Kurti që po ua bën.”- me tha Xhaferi.

Deri tani Albini bëri la contraparte, tani është koha që do të bëjë shtetin.

Kam dëgjuar ta quajnë populist, por ai është pragmatist. Është një djalë që ka mësuar rrugës si të komunikojë politikisht, pa i ikur apo fshehur, besimit të tij. Është politikani i vetëm shqiptar, që jo thjesht luan me fjalët, por që beson te fjalët, është nga më të diturit, të kulturuarit, që unë kam intervistuar.

Mustafa Nano: Kam përshtypjen se, në krye të një vendi për të qenë i suksesshëm, nuk është se kultura e madhe është e nevojshme. Njeriut i duhet të jetë një administrator i zoti, ta ketë me pasion atë punë, të dijë, të ketë një kulturë minimale që të dallojë, shqetësimet reale të vendit.

Rudina Xhunga: Kultura është e rëndësishme për të qenë politikan. Ne kemi pasur dhe kemi kaq shumë politikanë injorantë, sa unë që i kam intervistuar 4-5 herë, më duket sikur jesh politikan, duhet të jesh injorant. I jemi nënshtruar faktit të kryer, ndaj na habit Albini.

Por ajo që kam kuptuar me kalimin e kohës, është edhe përgjigjja që i kam dhënë pyetjes: Çfarë lloj politikani mund ta bëjë këtë vend? Se dreqi e mori, dalim përtej kufirit dhe shohim sa janë zhvilluar. Dhe kanë të njëjtin diell, të njëjtin ujë. E them çfarë njerëzish duhet të jenë këta që do ta zhvillojnë këtë vend të vogël sa një qytet i zakonshëm perëndimor. Çfarë na duhet?

Duhet të kenë, pak dashuri për këtë vend. Duhet ta duash. S’duhet të kesh përbuzje për ata që të ngjajnë si nënshtetasit e tu. Dhe të kesh një vizion që arrin ta shpjegosh, se nuk mund të kesh një vizion që nuk e shpjegon dot. Me këto, unë them që s’ka asnjë gjë që nuk bëhet. Nuk duhet asgjë më shumë.

Rudina
Rudina

Mustafa Nano: E vure re çfarë ndodhi pas lajmit, për bllokimin e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në Maqedoni ndodhi një proces tjetër, këtu ndodhi një proces tjetër. Kjo diferenca të duket e justifikueshme, logjike?

Rudina Xhunga: Ne nuk jemi të ngjashëm. Ne jemi të llogjeve, ata të sistemeve. Përtej kësaj, moshapja e negociatave është dërrmuese. Mbajtja larg Evropës, më shqetëson, më largon ditën kur ky vend do të bëhet.

Sepse të futesh në Evropë do të thotë të futesh në një regjim. Të jesh i diktuar të veshësh xhaketën e tyre. E pastaj të shëndoshesh apo dobësohet sipas llojit të xhaketës.

Mustafa Nano: Të ngroh Reforma në Drejtësi?

Rudina Xhunga: Reforma në drejtësi do të bëhet dhe do të shkojë deri në fund.

Një prej arsyeve që shqiptarët e kanë lënë këtë vend, më shumë sesa Berisha, Nano apo Rama, unë mendoj se ka qenë sistemi i drejtësisë. Sepse në një familje kur një fëmijë do të gjejë të drejtën dhe nuk ia japin, aty ndodh shkëputja me familjen. Ti do të gjesh të drejtën. Qoftë për një lopë që të kanë vrarë në fshat e qoftë për një shtëpi që po të prishin në qytet. Të gjitha përplasen te drejtësia. Pa u reformuar ai sistem, unë nuk shoh mundësi të reformohet sistemi politik. Dhe nuk shoh mundësi tjetër përveç futjes në sistem. Ne jemi një vend i vogël dimë gjithçka për njëri-tjetrin. Nuk mund të vijojmë të sillemi rreth sistemit, duhet ta bëjmë dhe përshtatemi.

Mustafa Nano: Ti ke mbi 20 vjet që je në gazetari.

Rudina Xhunga: Kam nisur në ’94. Deri në ’97-ën te “Koha Jonë” dhe pastaj në televizion gjithë kohën e prej pak vitesh dhe online me dritare.net. Kjo qenie kaq gjatë në gazetari, mua nuk më bën pesimiste, përkundrazi, më bën mua të besoj. Sepse, ’97-ën unë nuk e kam përjetuar nga shtëpia, duke u fshehur poshtë krevatit. Gjatë ’97-ës kam qenë në punë, reportazhe në ferr. Unë e kam parë dhe treguar Shqipërinë e ’97-ës, ndaj nuk ulem tani, e të qahem, sa keq që jemi. Se kemi qenë dhe shumë më keq se kaq. Dhe rrugës, çdo zhvillimi ia kam vënë lupën për ta bërë të më ngjajë edhe më i mirë. Se unë besoj te e mira. E mira tërheq të mirën. Besoj te e mira që sjell të mirën.

Mustafa Nano: Besoj që përvoja gazetareske të ka ndihmuar të takohesh me shumë politikanë. Duhet të bësh libër me ta, apo nuk të inspirojnë?

Rudina Xhunga: Shumica e politikanëve në Shqipëri nuk inspirojnë familjet e tyre, jo më mua. ( qesh)

Mustafa Nano: Familjet e tyre i kanë inspiruar ata…

Rudina Xhunga: I kanë rregulluar. Po pastaj?! E para, fëmija që mësohet të shohë babanë të vjedhë, ç’burrë e ç’grua do të bëhet? Ata vjedhin shtëpinë e tyre. Shqipëria është shtëpia. Të vjedhësh shtëpinë tende është një mallkim, diçka që të kthehet. Dhe këtë e besoj fuqimisht. Kjo është vjedhja e shtëpisë kjo që bëjnë këta. Shtëpitë e tyre nuk kanë asnjë shans të zhvillohen. Ti mund t’i çosh ku të duash fëmijët. Ke para, por s’i shkollon dot. E kam parë Londrën. Kam parë Londrën e nëndheshme. Kam intervistuar njerëz që bëjnë shtëpi kanabisi atje, të mjerët shqiptarë. I thonë merr kaq lekë dhe mbyllu në shtëpi. Janë burgjeve. Këta janë Londra e Kukësit. Kam parë dhe Londrën e fëmijëve e të të pasurve që studiojnë aty. Harxhojnë kot, paratë e familjes.

Njerëzit që e kanë vjedhur këtë vend, nuk do të marrin dot asgjë. Do e kthejnë, në një mënyrë apo një tjetër.- u shpreh gazetarja Rudina Xhunga në emisionin “Provokacia” të Mustafa Nanos./Dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb