BUKURESHT – Kryeministri rumun, Victor Ponta emëroi sot Bogdan Aurescu në postin e ministrit të Jashtëm.

Diplomati Bogdan Lucian Aurescu, 41 vjeç, është diplomuar për Drejtësi në vitin 1996 dhe Histori në vitin 1998. Ai është ligjërues edhe në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Bukureshtit që prej vitit 2012.

Aurescu punon në Ministrinë e Jashtme rumune që nga viti 1996. Ai flet rrjedhshëm anglisht dhe frëngjisht.

Më 18 nëntor, ministri i Jashtëm rumun Teodor Malescanu dha dorëheqjen pas akuzave sipas të cilave zgjedhjet presidenciale u organizuan qëllimisht keq për votuesit jashtë vendit për të ndikuar kështu në rezultatin përfundimtar të tyre.

Mijëra rumunë që jetojnë jashtë vendit ishin të pakënaqur me organizimin e këtyre zgjedhjeve si dhe me radhët e gjata përpara qendrave të votimit në konsullatat dhe ambasadat e Rumanisë në të gjithë Evropën.

Dorëheqja e Malescanut erdhi pas asaj të paraardhësit të tij, tetë ditë më parë, Titus Corlatean, i përballur edhe ky me të njëjtat akuza.

Gjatë zgjedhjeve presidenciale, mijëra rumunë ishin në pritje të votimit në Paris dhe Torino, ku u desh edhe ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës për vënien e rregullit.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb