Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Bardhyl Kollçaku, aktualisht deputet i PS, komentoi në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, luftën e Rusisë në Ukrainë.
Deputeti Kollçaku tha se lufta në Ukrainë ishte e paralajmëruar, ndërsa shtoi se Putin e krahason veten jo me Hitlerin, por me Carin e Madh të Rusisë, dhe e ka quajtur gjithmonë katastrofë shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.
“Agresioni është një ngjarje e paralajmëruar. Ne duhet të kthejmë pak memorien 8 vite pas, aneksimi i Krimesë dhe lufta e përgjakshme ishin paralajmërime që Hitleri i shekullit 21, Putini, nuk hiqte dorë nga ëndrra për ta bashkuar Ukrainën, kundër vullnetit të saj, me Rusinë. Në verën e vitit të kaluar, ai shkroi një ese, që nuk e njeh Ukrainën si shtet sovran. Ai evokon historinë e ish-Bashkimit Sovjetik. E quan katastrofë shpërndarjen e BRSS. AI veten e tij do ta krahasojë me Carin e Madh, Pjetrin e Rusisë. Ka probleme me veten, me historinë, por ky agresion ishte i paralajmëruar. Të paktën nga muaji dhjetor i 2021, shërbimet e inteligjencës amerikane e të NATO-s alarmuan qeverinë e Kievit për sulmin.
Moska thoshte gjithmonë që është skizofrenia e Perëndimit, madje kishin paralajmëruar që po tërhiqeshin forcat, por këtë herë shërbimet e inteligjencës perëndimore jo vetëm që arritën t’i futeshin nën lëkurë Putinit, por me një strategji të re ata i dekonspiruan të gjitha të dhënat për t’ia çjerrë maskën. Kjo e detyroi Putinin që edhe ato provokimet që kishte ndërmend, edhe datën e sulmit më 16 shkurt, e të gjitha drejtimet nga do të afrohej, i dolën zbuluar. Pas kësaj, ai e humbi logjikën dhe u detyrua të dalë hapur e të thotë që do të sulmojë Ukrainën.
Objektivi final i Putinit është rrëzimi i qeverisë së Kievit dhe kapja e Kievit, pushtimi i gjithë Ukrainës dhe ndoshta mund të ketë dhe plane të tjera për avancim, pasi ai nuk i njeh dhe republikat e tjera. Në momentin që flasim në Ukrainë është përmbysja e qeverisë së Ukrainës, kapja ose vrasja e Zelenskyt dhe zëvendësimi i qeverisë me një si e Lukashenkos apo çeçenisë”, tha deputeti i PS.
Më tej, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura paralajmëroi se fundi i Vladimir Putinit do të jetë si i diktatorëve të tjerë, pasi sipas tij, pushtimi i Ukrainës është gabimi i jetës së tij.
“Bëj vlerësimin maksimal për figurën e Zelenskyt, i cili ka bindur edhe dyshuesit më të mëdhenj që t’i dalin zot vendit të tij. Atij ju ofrua evakuim i sigurt, por kërkoi armë. Ky është lidershipi që kërkohet në këto momente, është frymëzim për popullin e Ukrainës, por edhe për forcat e armatosura të Ukrainës. Këto të fundit janë të stërvitura, të pajisura me armë dhe kanë eksperiencë. Jemi në ditën e tretë sulmit dhe jo vetëm që rusët s’e kanë kapur Kievin, por kanë hasur në rezistencë të qëndrueshme. Shpresoj që ndërkombëtarët të arrijnë në kohë të ndihmojnë Ukrainën, sepse sa më shumë të zgjasë rezistenca për mbrojtjen e Kievit, aq më e lehtë do jetë që kjo rezistencë të kthehet në guerile, që pushtuesi rus do ta ndjejë veten në një ferr të vërtetë dhe do vërtetohet që është gabimi i jetës së Putinit dhe jam i sigurt që do të përfundojë si diktatorët e tjerë. Problem është se rusi përveç epërsisë që ka në aviacion, ka epërsi dhe në forcën detare, ka dhe armatimin me rreze të gjatë veprimi, por ka dhe mobilitetin. Janë të gjitha trupat të vendosura mbi mjete të blinduara. Është e pamundur që Ukraina të mbrojë cdo pjesë të territorit, përballë trupave ruse. Unë isha para një muaji në Kiev dhe ndonëse sinjalet për luftë ishin, nuk kishte një përgatitje, pasi nuk mendohej një sulm i tillë. Nuk kishte prezencë ushtarake në aeroporte, rrugët ishin të qeta. Kishte neglizhencë në syrin tim”, shtoi ai.
(BalkanWeb)