RUSI

Një gjykatë në Moskë ka vendosur ta zgjasë paraburgimin edhe për dy muaj ndaj ish marinsit amerikan Paul Whelan të dyshuar për spiunim. Gjatë arritjes në seancë në gjykatë, Whelan ka thënë se rojet e kanë keqtrajtuar në burg ku po ndodhet në pritje të gjykimit, transmeton France Press.

“Jam lënduar në burg, por burgu nuk dëshiron t’ju tregojë”, i ka thënë Whelan gazetarëve pas arritjes në dëgjim në gjykatën e Moskës Lefortovo ku u vendos mbi zgjatjen e paraburgimit për të.

Dy roje të maskuar e kanë sjellë Whelanin nga burgu të lidhur me pranga. Whelan i zbehtë i ka thënë gazetarëve se ka dhimbje të mëdha për shkak të lëndimeve të cilat i kanë shkaktuar rojet e burgut dhe e ka akuzuar drejtorinë e burgut se po refuzon t’i ofrojë ndihmë mjekësore.

Whelan, i cili përveç nënshtetësisë amerikane dhe britanike ka edhe nënshtetësi kanadeze dhe irlandeze, është arrestuar më 28 dhjetor 2018.

Shërbimi i inteligjencës ruse FSB, pretendon se ai është arrestuar ndërsa po kryente aktin e spiunimit, gjë që ai e ka mohuar. Për këtë vepër ai mund të dënohet deri 20 vjet burgim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb