Ish-marinsi amerikan, Trevor Reed, është dënuar në mungesë me 14 vjet e gjysmë burgim nga një gjykatë ruse, për akuzat se i ishte bashkuar ushtrisë ukrainase si mercenar.

Komiteti Hetimor i Rusisë tha të mërkurën se Reed u regjistrua në forcat ukrainase në maj të vitit 2023 dhe mori pjesë në operacione luftarake në rajonin e Donjeckut.

Pjesëmarrja e Reed në luftë u bë publike në korrik 2023 kur ai u plagos nga shpërthimi i një mine derisa luftonte për Ukrainën. Disa media kishin raportuar se ai i ishte bashkuar ushtrisë ukrainase si luftëtar i huaj në nëntor 2022.

Departamenti amerikan i Shtetit tha në atë kohë se ai ishte transferuar në Gjermani për kujdes mjekësor pas plagosjes.

Reed doli në lajme në vitin 2020, kur u dënua me nëntë vjet burg im në Rusi për akuzën se sulmoi oficerët e policisë ruse pas një ndalese në trafik, gjë që është mohuar nga ai.

Në prill të vitit 2022, Reed, i cili deri atëherë kishte vuajtur gati tre vjet në një burg rus, u këmbye me pilotin rus, Konstantin Yaroshenko, i cili kishte qenë duke vuajtur një dënim prej 20 vjetësh në Shtetet e Bashkuara për trafikim të drogës.

Dënimi i Reedit në mungesë vjen disa ditë pasi dy amerikanë të tjerë u dënuan nga gjykatat ruse, duke rritur shqetësimet për motivet politike që qëndrojnë pas ndalimeve të tyre në mes të tensioneve të shtuara midis Moskës dhe Uashingtonit.

Stephen Hubbard, 72 vjeç, u dënua nga Gjykata e Qytetit të Moskës më 7 tetor me gjashtë vjet e 10 muaj burgim nën akuzat se ishte mercenar dhe se luftoi kundër Rusisë në Ukrainë.

Ndërkohë, Robert Gilman, një ish-marins amerikan 30-vjeçar, u dënua me shtatë vjet e një muaj burgim për sulm ndaj një zyrtari të burgut dhe një hetuesi.

Gilman, i cili po vuante një dënim prej 3 vjetësh e gjysmë burgim për sulm ndaj një oficeri policie në vitin 2022 ndërsa ishte i dehur, dyshohet se i kreu sulmet në fund të vitit 2023 gjatë kohës në paraburgim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: